Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioni për Stabilizim-Asocim diskuton me BE-në për problemet mjedisore

Në sesionin e dytë punues të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asocim me Bashkimin Evropian dhe deputetët e Kuvendit që janë anëtar të këtij Komisioni, është diskutuar për problemet mjedisore në vendin tonë.

Romeo Franz, anëtar i Parlamentit Evropian dhe pjesë e Partisë së Gjelbërt në Gjermani, ka thënë se Kosova duhet të bëjë më shumë për ta përmirësuar gjendjen mjedisore mes krizës klimatike në botë.

“Kosova për burimet e ripërtrishme ka arritur objektivin për vitin 2020, ka pasur 20 për qind rritje. Ky është zhvillim pozitiv, por nuk është i mjaftueshëm. Energjia në Kosovë varet nga thëngjilli, 90 për qind e energjisë varet nga thëngjilli, që nuk është mirë. Hidroenergjia është një tjetër mundësi për burimin e energjisë të ripërtrishme. Duhet të jemi të kujdesshëm në ndërtimin e tyre, pasi vendet e rajonit kanë pësuar dëm nga ndërtimi i pakontrolluar i burimeve të hidroenergjisë. Duhet të dyfishojnë përpjekjen e tyre për mbajtjen e rezervave të energjisë. Dua ta di cilat specifika është duke tentuar t’i implementojë Qeveria për ato shtëpitë që ngrohen me thëngjill. Dua ta di edhe çfarë ka ndodhur nga raporti i Komisionit Evropian, ku është kërkuar modernizimi i Kosovës B dhe mbyllja e Kosovës A. Gjithashtu, nuk është duke u bërë mjaftueshëm për ujërat e zeza. Mbesin një problem i madh për ndotjen e ujërave. Ky është një problem që duhet të zgjidhet sa më shpejt për të pas gjithë qytetarët e Kosovës ujë të pijshëm. Ndotja e ajrit gjithashtu është një tjetër problem. Duhet të ngrisim vetëdijen qytetare për mjedisin”, deklaroi Franz.

Ndërkohë Fitore Pacolli nga Lëvizja Vetëvendosje tregoi pikat kyçe në të cilat do të synojë të fokusohet Qeveria për të zgjidhur problemet e mjedisit në Kosovë.

“Kriza klimatike është një problem. Dëmi që i ka shkaktuar njerëzimi natyrës është i papercedentë. Ne duhet të marrim vendime radikale për të ruajtur mjedisin që na ka mbetur. Kosova nuk mund ta përballojë financiarisht kalimi nga qymyri në gaz e nga gazi në burime të ripërtrishme. Ne synojmë të kalojmë nga qymyri në burime të ripërtrishme. Me fondet e BE-së po investohet në uljen e emetimeve të gazit që gjenerohen nga termocentrali Kosova B përmes ndërrimit të elektrofiltrave. Po bëhet ndërhyrja në procesin e djegies. Tani për tani ka instaluar 141 MW (megavat), brenda 10 viteve synojmë ta rrisim mbi 500 MW. Për uljen e emetimeve të oksideve të sulfurit do të vazhdohet deri në vitin 2024. Dy fusha ku po synojmë të fokusohemi intesivisht, por kuptohet nuk mund ta arrijmë pa ndihmën e BE-së, janë investimet në sistemi e ngrohjes dhe transportit. Dekarbonizimi i transportit është prioritet për ne”, deklaroi Pacolli në Kuvend.

Artikuj të ngjashëm