Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioni për Siguri e procedon në Kuvend raportin e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Raporti njëvjeçar i Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk ka arritur të kalojë në Komisioni për Siguri, pasi që ai është hartuar nga Administrata dhe drejtori i përgjithshëm në mungesë të Kryeshefit.

Megjithatë raporti është rekomanduar për debat në Kuvend, ndonëse anëtarët e këtij komisioni kanë thënë se nuk ka çka të votohet në këtë raport “i cili përmban vetëm foto të takimeve të realizuara”, raporton KTV.

Kryesuesi i komisionit, Daut Haradinaj ka thënë se po bëhet një vit që kur ka kërkuar nga Qeveria që të kompletoj stafin e Agjencisë, por asnjëherë nuk mori përgjegjësi nga ta. Ai edhe njëherë i bëri thirrje kryeministrit që ta kompletoj stafin e Agjencisë pasi vlerëson se ajo është tejet e rëndësishme për mbrojtën e privatësisë së qytetarëve e cila po u shkakton probleme edhe vetë mediave.

Në anën tjetër, deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, thotë se po çuditet nga fakti se si ekzekutivi heq dorë nga ky institucion.

Edhe deputeti i PDK-së, Fatmir Shurdhaj e quan të qëllimshëm mos kompletimin e stafit të kësaj agjencie. Sipas tij, qeveria duhet të kryej obligimet e veta kushtetues e jo të bëjë institucione e t’i lerë gjysmake.

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka mungesë stafi prej 9 zyrtarëve dhe kryeshefit.