Komisioni për Punë të Jashtme, ka mbajtur takimin e radhës. Aty u diskutua për planin e punës që mbet për t’u aprovuar në mbledhjet e ardhshme, teksa u debatua edhe për kërkesën e ministrit të Jashtëm Glauk Konjufca për kthimin e disa ambasadorëve politikë nga shërbimi diplomatik.
Anëtari i LDK-së, Arben Gashi tha se kjo kërkesë nuk duhet të shihet si problem, pasi që konsideron se të gjithë ambasadorët në fjalë ishin pa mandat dhe në kundërshtim me ligjin.
Megjithatë, u pajtua që ministri të ftohet dhe të raportojë para komisionit për këtë kërkesë, por edhe për shkarkimin e konsujve, përcjell kp.
Gashi tha se të gjithë ata që janë emëruar politikisht duhet të kthehen vet pa ndonjë urdhëresë dhe të tillët nuk duhet të akuzojnë pasi që e din që janë me mandat politik.
Anëtarja nga PDK-ja, Ariana Shoshi, kërkoi që të hapen Ambasada të reja në disa kontinente.
Edhe ajo kërkoi që ministri Konjufca të raportojë për vendimet e fundit.
Anëtarja e komisionit nga VV-ja, Fatmire Kollçaku, tha se kori diplomatik duhet të ndjehet keq pasi që gjendja sa i përket njohjeve nuk ka qenë asnjëherë më keq.
Kryetarja Time Kadrijaj, kërkoi nga secili anëtar që të jenë të unifikuar në prezantimin e Kosovës jashtë.
Plani i punës për këtë Komision mbeti të miratohet pasi që të zbardhet strategjia e qeverisë.
Komisioni në fund vendosi që t’i bëjë ftesë ministrit të Punëve të Jashtme për javën e ardhshme që të raportojë para këtij komisioni.