Arbëri

Komisioni për Legjislacion nuk trajton çështjen e Etem Arifit

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit sot u mblodh për të shqyrtuar dy kërkesa.

Artan Abrashi nga Vetëvendosje, anëtar i komisionit për legjislacion njofton se kanë shqyrtuar dy pika që janë kërkesa njëra nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, që ka të bëjë me mandatin e deputetit Etem Arifi dhe kërkesa e dytë ka të bëjë për interpretim të pozicionit të deputetit nga Behgjet Pacolli.

“Kur lënda përfundon me dënim të formës së prerë ajo duhet të ekzekutohet. Ne kemi theksuar qëndrimin tonë se tani duhet të veprojnë organet e rendit dhe gjykata. Megjithatë Komisioni me shumicë votash nuk ka dashur ta trajtoj këtë çështje me arsyetimin se nuk është në kompetencën e vet”, tha Abrashi, raporton KOHA.

Sa i përket kërkesës së Behgjet Pacollit, për interpretim të detyrave dhe funksionit të deputetit si dhe pengimit në kryerjen e detyrave kushtetuese, Abrashi tha se “ne nuk e kontestojmë imunitetin e deputetit por që komisioni nuk ka mandat me shqyrtuar imunitetin shëndetësor”.

“Kjo çështje nuk duhet të trajtohet nga komisioni për mandate”, tha Abrashi.

Ndërkaq, Driton Selmanaj nga LDK-ja kryetar i komisionit për legjislacion, tha se kërkesa për deputetin Arifi ishte e pabazuar dhe në kundërshtim me rregulloren nga kryetarja e kuvendit.

“Ne i dhamë një përgjigje ku i thamë që respekto ligjin e kushtetutën e vepro në bazë të tyre. Çështja e dytë kishte të bënte me shqetësimin e z.Pacolli si deputet i cili pretendonte se është penguar që ta ushtroj në mandatin e deputetit. Ne e dhamë vlerësimin tonë dhe i bëmë thirrje të gjitha institucionet që të lejojnë dhe mundësojnë ushtrimin e mandatit të deputetit”, përfundoi Selmanaj.

Image