Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar të premten Projektligjin për Zyrtarët Publikë.
Në mbledhje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në krye me ministrin, Xhelal Sveçla.
Grupet opozitare kanë pasur disa vërejtje lidhur me Projektligjin për Zyrtarët Publikë, megjithatë është miratuar nga komisioni.
Lushtaku për Projektligjin për zyrtarë publikë: 2-3 herë janë shkarkuar grupet punuese derisa Qeveria ka pranuar një ligj sipas dëshirës
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se ka pritur dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Xhalal Sveçlës, pas vrasjes së shtatzënës në oborrin e QKUK-së. Ai ka thënë se shpresonte të kishte “moral” për dorëheqje pas rastit.
Lushtaku përmes një meseleje që e ka treguar, ka thënë se veprimet dhe qasja në raport me zyrtarët publike e Qeverisë është në kundërshtim me Kushtetutën. Me këtë projektligj, ka shtuar ai, Qeveria i ka bërë pozitat udhëheqëse me mandat. Sipas tij, rrezikon profesionalizmin dhe gatishmërinë e shërbyesve civilë.
“Sot kemi para vetes një projektligj që po e tregoj me një mesele ministër. Në një kohë kur gjyshi i tregon nipit për luftën e dytë botore se si kanë shpëtuar. I thotë disa i pushkatojshin disa i përdhunojshin. Nipi e pyet, po ty gjysh a të pushkatuan a të përdhunuan. Gjyshi tha mu më pushkatuan. Edhe ti me këtë ligj bashkë me Qeverinë i keni pushkatuar nëpunësit publikë. Kemi shkelje flagrante të të drejtave të nëpunësve publikë. Në parim çdo rregull, princip edhe i SIGMA-s është i shkelur. Kemi informacion që janë shkarkuar dy tri herë grupet punuese derisa ju keni pranuar një dokument çfarë ju e dëshironi. Sepse s’keni marrë parasysh mendimet profesionale”.
Lushtaku ka thënë se PDK-ja nuk e voton projektligjin dhe e kundërshton atë deri në çuarjen në Kushtetutese.
Kurse, Sveçla i ka kthyer përgjigje duke i thënë se nuk ka kohë për mesele.
“Unë nuk kam kohë për mesele. Sa të jem ministër i administratës do të punoj për administratë por nuk kam kohë për këso meselesh. Ju lus ta kapitalizoni debatin e t’i leni anash këto mesele fyese. Por nuk është e çuditshme kjo”, ka thënë Sveçla.
Lekaj: Mbi 20 vjet kemi punuar që të krijojmë “mure kineze” që të mos ketë ndërhyrje politike
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se reformat janë të domosdoshme, por jo që politika të ndërhyjë.
Ai i ka kërkuar përgjigje ministrit Xhelal Sveçla se çfarë vlerësimi ka dhënë Bashkimi Evropian për Projektligjin për Zyrtarët Publikë.
“Me anë të këtij ligji është lënë hapësirë që politika të ndikojë. 20 e sa vjet kemi punuar me ndërkombëtarët që të krijojmë vijë ndarëse me mure kineze që të mos ndikojë politika dhe kjo ka funksionuar siç duhet. Këtë e kemi arritur bukur me mund. Me këtë ligj jo që kemi hyrë në reformë por në dereformë që do të shkaktojë mjaft probleme. Ajo që e kam vërejtur këtu që për 1600 zyrtarë të lartë ky ligj lë hapësirë të përzihet drejtpërdrejtë politika. Pajtohem që asnjë reformë si bije çdokujt tamam. Por ky ligj lë që politika të përzihet. Neni 46,66,98 vendosin kontroll të plotë politike. I bën që zyrtarët o të pranojnë diktate politike o të prishin kontratën”.
E, Sveçla ka thënë se ndikimet e politikës në administratë kanë qenë ndër vite.
“Në njërën anë pajtohemi që administrata është e mbingarkuar. Pajtohemi që e njëjta administratë e mbingarkuar nuk po funksion ashtu siç janë kërkesat. Konkursi nuk do t’ia mohoj askujt të jetë pjesë e garës. Nëse BE-ja është e shqetësuar mbi nivelet e performancës dhe me ndikimet e politikës në administratë siç e përmenda që ka qenë ndër vite patjetër që reforma është e domosdoshme. A do të rrëzohet ky ligj në Kushtetuese as unë nuk jam ekspert ta di. Por edhe ekspertët tanë po thonë që nuk do të rrëzohet. T’ua lëmë ekspertëve kur vjen puna deri aty të marrin vendimin meritor”.
Zëvendësministri i Brendshëm, Bardhyl Dobra, ka thënë se Kosova e ka përqindjen më të lartë të të punësuarve në sektorin publik se vendet e Bashkimit Evropian.
“Në BE nuk ka direktivë që e rregullon administratën. Shtetet e rregullojnë sipas sistemit të tyre. Edhe përbrenda BE-së Franca e ka të ndryshme me Gjermaninë e Gjermania me Suedinë. Konkurset e hapura i kanë të gjithë në BE. Sa i përket parimeve të SIGMA-s vetë SIGMA është duke i rishikuar ato parime. Sa i përket punësimit në sektorin publik. Në vendet e BE-së punësimi në këtë sektor është 21 për qind, në Kosovë 31 për qind, ne kemi 10 për qind më shumë të punësuar dhe ministri tha që shërbimet që i marrim nuk janë të nivelit të duhur”.
Lekaj e quan praktikante deputeten e VV-së
Ndërkohë, reagime ka pasur edhe nga deputetja e Vetëvendosjes, Arbreshë Kryeziu. Ajo ka thënë se politika ka qenë e përzier në administratë qysh më herët, ndërkohë iu ka drejtuar Lekajt se “ju keni punësuar njerëz e nuk e kanë ditur as për çfarë pozitash po punësohen”.
“Këta po shqetësohen se po krijohen reforma që do t'ua lëkundin atë komoditet njerëzve që politika i ka punësuar”, ka deklaruar Kryeziu.
Kurse Lekaj e ka quajtur deputeten Kryeziu, “praktikante”.
“Deputete të mungon përvoja, je ende praktikante. Kur s’ke argumente kalon në politikë të përgjithshme. Askush nuk tha që jemi kundër ligjit. Ne i dhamë vërejtjet tona. S’keni nevojë t’ia bëni avokaturën ministrit”, ka theksuar Lekaj.