Pas një periudhe paralize institucionale, komisionet parlamentare e kanë nisur punën me ritëm të përshpejtuar. Në disa prej tyre është shqyrtuar rishikimi i buxhetit të vitit 2026. Procesi nuk ka kaluar pa kritika nga opozita, e cila e ka vënë në pikëpyetje mënyrën e përgatitjes së ndryshimeve buxhetore. Në një tjetër trupë të Kuvendit pati edhe përplasje verbale
Ndryshimet në ligjin për buxhetin e 2026-s kanë kaluar në disa komisione parlamentare të martën.
Në atë për Arsim, ky Projektligj nuk është mbështetur nga ligjvënës opozitarë, të cilët kritikuan mungesën e përfshirjes së komunave dhe mënyrën e përgatitjes së rishikimit buxhetor.
“Ky veç Ligj për rishikim nuk mund të quhet, dhe si i tillë nuk mund të mbështetet për shkak se nuk i është dhënë mundësia asnjë organizate buxhetore që ta rishikojë buxhetin e vet”, ka thënë Hykmete Bajrami (LDK).
Kritika kanë shprehur edhe nga Aleanca.
“Keqqeverisja në Ministrinë e Arsimit ka ndodhur qysh në vitet e kaluara dhe po vazhdon të ndodhë. Ministri Çeku nuk është fare i interesuar për të ecë para në këtë fushë. Prandaj, joserioziteti i tyre tregon edhe njëherë që nuk e kanë pasur prioritet. Prandaj, ne si Aleancë nuk e përkrahim këtë plotësim-ndryshim të këtij Ligji”, është shprehur deputetja nga radhët e kësaj partie, Teuta Haxhiu.
Njëjtë kritika ka bërë edhe kryetari i këtij komisionit, Enver Hoxhaj, që vjen nga PDK-ja.
“E shoh si një Projektligj që nuk ka përfshirë një rishikim të mirëfilltë”, ka thënë ai.
Projektligji kaloi edhe në Komisionin për kulturë dhe sport, në atë për punë të jashtme dhe diasporë, si dhe në komisionin për Mjedis.
Në shumë komisione u trajtuan edhe çështje të tjera. Në atë për buxhet, në rend dite ishin edhe ndryshimet në Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Në mungesë të ministrit të Financave, Hekuran Murati, për ta prezantuar Projektligjin, para deputetëve u paraqit zëvendësministri Hysni Mehani. Kjo u kundërshtua nga deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku.
“Ne ishim dakord me e vendosë në rend të ditës dhe e mbështesim këtë Ligj, por përderisa nuk kemi një diskutim nga përfaqësues të drejtpërdrejtë nga Qeveria, në këtë rast Ministria, më duket e arsyeshme që të mos mbahet kjo pikë e rendit të ditës. Ish dashur me qenë prezent ministri”, ka thënë ai.
E, për një çështje që nuk lidhet me këtë Projektligj, pati përplasje verbale mes deputetes së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, dhe asaj të Aleancës, Teuta Haxhiu. Ajo ka të bëjë me një akuzë të mëhershme.
“Unë kam bërë padi për zonjën Haxhiu, kështu që prej tash e tutje nuk do të merrem asnjëherë me deklaratat e saj, sepse është e interesuar që të hapë diskutime të tilla në mënyrë që të pamundësojë punën”, ka thënë Nagavci.
Në këtë ka reaguar Haxhiu.
“Ata që e kam thanë prej fillimi, sot e 100 herë e permeni; ka ndërhyrë në çështjen e mësimdhënësve duke kërkuar edhe njëherë me shku në një trajnim që kjo ka qenë pjese e asaj organizate. Motra ka qenë kryetare e asaj organizate”, ka thënë ajo.
Në trupat e Kuvendit janë marrë edhe vendime të tjera.
Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese ka hapur thirrjen për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Kushtetueses, e cila do të jetë e hapur për 20 ditë që nga e mërkura.