Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komisioneri i Agjencisë për Informim dhe Privatësi - me konkurs

Është vendosur që të shpallet konkursi për komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes unanimisht kanë votuar që të shpallin konkursin për përzgjedhjen e komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se zgjedhja e komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi ka qenë kërkesë e kryeparlamentares, Vjosa Osmani.

“Në bazë të Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Personale, ne, si komision, jemi përgjegjës për shpalljen e konkursit dhe kryerjen e procedurave për përzgjedhjen e komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Lidhur me këtë çështje ka edhe një përfundim nga takimi që kishim si kryetarë të komisioneve me kryetaren e Kuvendit, ku po ashtu është kërkuar nga ne që sa më shpejt ta përfshijmë në rend dite si çështje me prioritet. Pra kërkohet që t’i ndërmarrim veprimet e nevojshme”, tha ajo.

Gjatë kësaj mbledhje u zgjodhën edhe anëtarët e panelit intervistues për përzgjedhjen e komisionerit dhe ata janë Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Sllavko Simiq, Bekë Berisha, Haxhi Shala, Ilir Tasholli, Rasim Demiri, Ganimete Musliu.

Kryetarja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Fatmire Kollçaku propozoi që javën tjetër të ftohet ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike, Agim Veliu, që të informojë komisionin/KsP.