Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një letre i është drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, duke kërkuar që mirëqenia dhe shërbimet sociale të kalojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, si në përmbajtje ashtu edhe në emërtim, duke e shndërruar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në këtë letër të KOMF thuhet se ata janë njoftuar nëpërmjet medieve, se me ndarjen e ministrive në kabinetin e ri qeveritar, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është ndarë në disa ministri.
“Konsiderojmë që mirëqenia dhe shërbimet sociale duhet të jenë prioritet dhe një ndër shtyllat kryesore të programit të qeverisë. Prandaj kjo duhet të reflektohet edhe në ndarjen e ministrive. Konkretisht, propozimi i KOMF është që mirëqenia dhe shërbimet sociale të kalojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, si në përmbajtje ashtu edhe në emërtim, duke e shndërruar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, thuhet në letër.
Arsyet kryesore të këtij propozimi sipas KOMF shteti është përgjegjës për mirëqenien sociale, organizimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë dhe të sigurojë që të gjithë banorët e Kosovës të kenë qasje të barabartë në shërbimet sociale dhe familjare pa asnjë dallim. Shteti ka për detyrë të ofrojë shërbime sociale dhe familjare bazuar në legjislacionin në fuqi dhe në konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut.
“Duke marrë parasysh interesin e përbashkët që qytetarët të gëzojnë mirëqenie sociale, KOMF kërkon vëmendjen e Kryeministrit, që dikasteri i mbrojtjes dhe shërbimeve sociale të kalojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, si në përmbajtje ashtu edhe në emërtim, duke e shndërruar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, kjo për shkak të rëndësisë dhe nevojës për prioritizim dhe zhvillim të këtij sektor”, përfundon letra.
-
KOMF-i kërkon rikthimin e Ministrisë për mirëqenie sociale
-
Pas shkrirjes së Ministrisë së Punës, Kurtit i kërkohet të trajtojë me prioritet politikat sociale
-
IKD: Bashkimi i ministrive të Mirëqenies Sociale dhe të Financave me pasoja serioze
-
KOMF-i bën thirrje për reforma urgjente në sektorët që prekin jetën e fëmijëve
-
KOMF alarmon institucionet për mbylljen e shërbimeve sociale