Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kolumbia do të ketë ambasador jorezident në Kosovë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, në kuadër të aktiviteteve gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar homologun e tij nga Kolumbia, Carlos Holmes Trujillo, bën të ditur MPJ përmes një njoftimi për media.

Me këtë rast, kryediplomati kosovar, Pacolli, është informuar zyrtarisht se presidenti i Kolumbisë zyrtarisht ka nominuar ambasador jorezident në Republikën e Kosovës.

“Në Uashington takova ministrin e Jashtëm të Kolumbisë, Carlos Holmes Trujillo, i cili zyrtarisht më dha lajmin e mirë se presidenti i Kolumbisë ka nominuar ambasador jorezident në Republikën e Kosovës. Kosova vazhdon konsolidimin e vet ndërkombëtar, duke vendosur marrëdhënie me secilin shtet të botës. Kolumbia është vend jashtëzakonisht i fuqishëm në Amerikën e Jugut, andaj edhe Republika e Kosovës shumë shpejt do të ketë ambasadën e vet atje, që do të mbulojë shumë vende të kontinentit latin”, është shprehur ministri i Jashtëm i Kosovës pas këtij takimi.

Ministri Pacolli po qëndron në ShBA me ftesë të sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Fillimisht ai ka marrë pjesë dhe përfaqësuar Kosovën në takimin e ministerialit të shteteve anëtare të Koalicionit Global kundër ISIS-it, i cili u mbajt më 6 dhe 7 shkurt, në Uashington D.C., dhe pas kësaj ngjarje po merr pjesë edhe në ceremoninë vjetore të Lutjeve të Mëngjesit.