Arbëri

#KOHAarkiv 2014: Punëtori i RTK-së dyshohet se vodhi mbi 331 mijë euro

Të enjten në Kosovë bëri bujë një raportim për Radiotelevizionin e Kosovës në Komisionin Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere. Në diskutimet në mes të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, me deputetët e Kuvendit u përmend edhe një rast kur një punëtor kishte përfituar qindra mijëra euro në emër të kompanisë “Pastimi” që kishte marrë mjetet e menduara për “Pastrimin”. KOHA pati raportuar për rastin qysh në mars të 2014-s.

Tekstin nga arkivi i KOHËS Ditore mund ta gjeni të plotë më poshtë:

Punëtori i RTK-së dyshohet se vodhi mbi 331 mijë euro

Bajram Shehu është arrestuar më 25 dhjetor 2013, në pikën kufitare të Vërmicës, teksa po përpiqej të kalonte në Shqipëri. Asokohe kishte një urdhërarrest nga Gjykata Themelore e Prishtinës për vepër penale. Disa muaj ishte shpallur person në kërkim. Urdhri për arrestim ishte lëshuar më 4 nëntor 2013, si i dyshuar për veprën penale mashtrim në detyrë. Dyshohej se gjatë periudhës 2007- 2012 kishte përfituar në mënyre të kundërligjshme 331.350,87 euro, gjatë kohës sa kishte punuar si kontabilist në RTK

PRISHTINË, 3 MARS 2014 – Një kontabilist i Radiotelevizionit të Kosovës ka arritur që t’i vjedhë 331 mijë e 350 euro. Vjedhjen dyshohet se e kishte planifikuar mirë.

Bajram Shehu kishte hapur një kompani me emrin “Pastimi”. Paratë që do të duhej t’i paguante për ndërmarrjen publike të mbeturinave “Pastrimi” i kishte derdhur në firmën e vet, që vetëm një shkronjë ua dallonte emrat.

Shehu është arrestuar më 25 dhje[1]tor në pikën kufitare të Vërmicës, teksa po përpiqej të shkonte në Shqipëri. Asokohe kishte një urdhërarrest nga Gjykata Themelore e Prishtinës për vepër penale. Disa muaj ishte shpallur person në kërkim. Urdhri për arrestim ishte lëshuar më 4 nëntor 2013, si i dyshuar për veprën penale mashtrim në detyrë. Dyshohej se gjatë periudhës 2007- 2012 kishte përfituar në mënyre të kundërligjshme 331.350,87 euro, gjatë kohës sa kishte punuar si kontabilist në RTK.

Me këtë të dyshuar është duke u marrë prokurorja Merrushe Llugiqi. Prokuroria pritet të nisë procedurat për konfirmimin e një banese dhe një shtëpie të Shehut në Prishtinë, që dyshohet se i ka përfituar me anë të veprës penale, ka mësuar gazeta.

Para së të punësohej në RTK Radio, Shehu (1958) kishte hapur një firmë me emrin “Pastimi”. Për aktivitet kishte pastrimin dhe evitimin e ujërave ndotëse, trajtimi i hedhurinave, veprimtaritë sanitare e të ngjashme. Po ashtu aktivitet kishte pastrimin e të gjitha llojeve të objekteve, ndërmjetësimin në tregtinë e mobilieve, produkteve shtëpiake dhe të galanterisë, ndërmjetësim në tregtinë e produkteve, siç thuhet, të llojllojshme. Numri i punëtorëve ishte 1, derisa kapitali ishte zero.

Mirëpo llogaria e firmës ishte mbushur. Në vend të pagesave për bërllok në llogari të ndërmarrjes “Pastrimi”, paratë i kishte derdhur në firmën e tij të quajtur “Pastimi”. Ishte zbuluar vetëm kur ndërmarrja publike ishte ankuar në RTK se borxhi i televizionit publik kishte arritur 60 mijë euro.

Gazeta ka siguruar dosjen hetimore të Prokurorisë kundër tij. Aty përshkruhen veprimet e këtij kontabilisti në televizionin publik në të cilin keqpërdorimet janë të shumta dhe të përfshirë edhe zyrtarë të lartë.

Por Shehu dyshohet se kishte vepruar vetëm si shef i kontabilitetit të Radios. Ai dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij duke transferuar mjete në llogarinë N.Sh. “Pastimi”. Pas ankesës së kompanisë “Pastrimi”, është bërë krahasimi i faturave të paguara përmes llogarisë bankare të Radios në ProCredit Bank dhe është vërejtur se disa pagesa kanë qenë të evidencuara në RTK. Por ato pagesa i janë bërë firmës “Pastimi”.

“Në këtë mënyrë Bajram Shehu dyshohet se ka vënë në lajthitje edhe autoritetet miratuese të këtyre page[1]save në RTK, si dhe ka vënë në lajthitje edhe bankën që është kryer transaksioni i mjeteve. Pasi janë vërejtur këto keqpërdorime, RTK-ja më datën 21.5.2013 e ka larguar përkohësisht nga puna”, thuhet në dosje.

Gjatë hetimeve është vërtetuar se në llogarinë bankare të firmës “Pastimi” janë derdhur 331,347.18, të cilat janë tërhequr nga Bajram Shehu. Më 21 prill 2013, RTK-ja ka njoftuar Policinë se pagesat e bëra nga RTK-ja dyshohet se ishin derdhur në emër të llogarisë “Pastimi” e jo “Pastrimi”.

Në qershor të vitit të kaluar ishte intervistuar në cilësinë e dëshmitarit Halil Bajramaj, shef i kontabilitetit në Televizionin e Kosovës. Kishte deklaruar se Bajram Shehu punon që nga viti 2004 si shef i kontabilitetit në Radio-Kosovë me kontratë mbi vepër, ndërsa që nga viti 2010 ka kaluar në marrëdhënie të rregullt të punës.

Ai ka thënë se Shehu është larguar nga puna pasi janë vërejtur keqpërdorimet e tij pas ankesës së “Pastrimit” për mospagesë të 60 mijë eurove. Dëshmitari ka thënë se kishte shkuar në këtë kompani për ta bërë verifikimin e këtij borxhi dhe aty kishte vërejtur se mungojnë disa pagesa të cilat në RTK kanë rezultuar si të paguara.

Prokuroria të hënën nuk ka dhënë informacione se deri ku kanë shkuar procedurat hetimore dhe ato të konfiskimit të pasurisë.

“Ju njoftoj se B.Sh. dyshohet se e ka kryer këtë vepër penale dhe momentalisht gjendet në paraburgim. Më shumë nuk mund të jepen detaje të tjera, pasi procedura është ende nën hetime”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Hekrem Lutfiu.

“Koha Ditore” ka raportuar këto ditë për keqpërdorime të shumta në RTK. Menaxhmenti, i cili atë kohë ishte udhëhequr nga drejtori i atëhershëm Sylejman Shaqiri, dhe zëvendësi i tij, drejtori aktual, Men[1]tor Shala, flet për manipulim me shifra. Në këtë incizim drejtori i financave në RTK, Bujar Spahiu, gjatë prezantimit të këtij raporti u tregon hapur se në disa vende ka manipuluar. Askush nuk i kërkon llogari. Disa nga ta e përgëzojnë për mënyrën se si i ka lëvizur shifrat. “Koha Ditore” ka një audioincizim të mbledhjes se menaxhmentit të RTK-së. Në këtë mbledhje ishte diskutuar raporti financiar i vitit 2011.

Sipas incizimit, i cili zgjat rreth tri orë, takimin e hap drejtori i përgjithshëm i asaj kohe në RTK, Sylejman Shaqiri. Megjithatë, pos prezantimit të temës, e cila do të diskutohet në këtë takim, ai nuk dëgjohet të ketë komentuar më tej në lidhje me shifrat. Dy personat, të cilët dëgjohen vazhdimisht duke diskutuar, janë drejtori i atëhershëm i Financave, Bujar Spahiu, dhe drejtori aktual i RTK-së, Mentor Shala.

Spahiu që në fillim tregon që është detyruar “që diku-diku të bëjë ndryshime”. Askush nga menaxhmenti nuk e pyet se çka nënkuptojnë këto ndryshime. Nuk pyesin as se a janë ndryshime joligjore diferenca e vlerave të vërteta ndaj atyre të deklaruara. Menaxhmenti i këtij viti bën përllogaritje se ku “munden” dhe ku “guxojnë” të luajnë me vlera. Drejtori i atëhershëm i financave, Bujar Spahiu, fillon sqarimin e raportit financiar të menaxhmentit me produktet e jashtme. Për këto produkte Spahiu thotë se ka mundësi “që me ia sjellë herë kështu, herë ashtu”, duke sqaruar se për t’i ulur shpenzimet disa mund t’i fusë në shpenzimet e vitit 2012.

“P.sh., i ke 4500 euro që në letra duhesh m’i kallëzu si shpenzime, e që ti në fakt nuk ju jep pare, ama i deklaron”, thotë Spahiu.

Spahiu thotë se zgjidhje u bën edhe serialeve.

“Qy serialet ku i kena. Na i kena këtu në vlerë mbi 3 milionë e 305 mijë euro, ama kjo është vetëm në letra”.

Edhe shpenzimeve të telefonave Spahiu thotë se u ka bërë zgjidhje. “Shpenzime për telefona janë 130 mijë”, i ka sqaruar ai menaxhmentit. Zëvendësdrejtori i atëhershëm, Shala, e konsideron shifër të lartë këtë vlerë të prezantuar. Spahiu ia sqaron Shalës se vetëm natën e Vitit të Ri, RTK-ja ka shpenzuar 30 mijë euro në telefon.

“Natën e Vitit të Ri kishin pa punu shumë, për këtë arsye ka më shumë shpenzime për telefona, 30 mijë, a sa ke më shumë”, ka thënë ai. Megjithatë, Spahiu i thotë menaxhmentit se do të ndikojë në zvogëlimin edhe të këtyre shpenzimeve.

Në këtë mbledhje menaxhmenti pranon se për shkak “të kufizimeve ligjore” i duhet që të zvogëlojë “në letër vlerën e produkteve të jashtme”.