Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kodra për rastin e foshnjës në Pejë: Duhet të ketë arrestime masive, suspendime e dorëheqje

Përfaqësuesi i Shoqatës së Pacientëve të Kosovës, Besim Kodra, ka thënë se rasti i ndodhur së fundmi në Spitalin e Pejës, ku një foshnjë e vdekur dyshohet se është futur në rrobalarëse, është një nga rastet më skandaloze që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë.

Sipas tij, për këtë rast do të duhej të kishte arrestime masive, suspendime dhe dorëheqje dhe se masat e marra deri më tani me suspendimin e shtatë punonjësve është masa më e butë që do të duhej të merrej.

“Është një nga rastet më skandaloze që e kemi dëgjuar në shëndetësi sepse tregon për një lloj masakre ndoshta e paqëllimshme, por një fëmijë është copëtuar dhe kjo është një prej skandaleve më të mëdha, skandali i dytë është që një rast i tillë tentohet të mbahet fshehtë për shkak të imazhit të institucionit shëndetësor, çka na duhet imazhi nëse e kemi copëtuar një foshnjë, domethënë është jashtë çdo logjike. Suspendimi do të duhej të ishte gjëja më e vogël e mundshme, do të duhej të kishte arrestime masive, suspendime dhe dorëheqje”, ka thënë ai në një intervistë dhënë emisionit “60 Minuta” në KTV të enjten.

Kodra ka shtuar se të gjithë ata persona që kanë qenë në dijeni dhe nuk e kanë njoftuar Policinë rreth këtij rasti, do të duhej të shkonin në shtëpi, e disa prej tyre edhe në burg.

“Është e pakuptimtë që të tentojmë t’i ruajmë pozitat tona nëse na copëtohet një foshnjë, pra e kemi humbur misionin e të qenit human”, është shprehur ai.

Edhe Skandali me foshnjën, babai thotë se stafi mjekësor i kërkoi të mos lajmërohej në polici Arbëri Skandali me foshnjën, babai thotë se stafi mjekësor i kërkoi të mos lajmërohej në polici

Sipas Kodrës, fakti që Kosova ende nuk ka ministër të Shëndetësisë bën të jetë e pakuptimtë çdo gjë tjetër që flitet për këtë sektor.

“Skandali po e mbulon skandalin dhe askush nuk po jep përgjegjësi. Esenca është që ne të garantojmë shërbime të sigurta dhe cilësore për qytetarët”, ka shtuar ai.

Kodra ka thënë se komoditeti në të cilin po qëndron Qeveria sa i përket strategjisë sektoriale të shëndetësisë, nuk është për t’u përshëndetur.

“S’ka strategji. Strategjisë sektoriale të shëndetësisë i ka kaluar koha në vitin 2021 dhe ende nuk kemi një strategji që na tregon se ku do të jemi ne pas 5-10 vjetësh në shëndetësi, ku ndryshimet janë shumë të ngadalshme dhe të vështira”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se vdekja e foshnjës në Pejë, e gruas në QKUK dhe ikja e mjekëve, janë pasoja të një sistemi shëndetësor të brishtë i cili nuk po funksionon.

“Ikja e mjekëve në përgjithësi padyshim se do të shkaktojë pasoja. Cilësia e shërbimeve shëndetësore do të bie, vonesat e marrjes së shërbimeve nga ana e pacientëve do të jenë më të mëdha për shkak se listat e pritjes do të rriten edhe më tutje. Nëse nuk do të kemi një reformë të shpejtë, atëherë sistemi do të bije në kolaps”, ka thënë ai.

Edhe Skandali me foshnjën në Pejë: Drejtori i shkarkuar akuzon për ndërhyrje politike Arbëri Skandali me foshnjën në Pejë: Drejtori i shkarkuar akuzon për ndërhyrje politike

Për këtë rast Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka liruar nga detyra u. d. kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.

Sipas njoftimit për media, në këtë rast ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit, konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor.