Ish-ministri i Shëndetësisë e deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Kurti për të cilin ka thënë se është vetë-emëruar si ministër i Shëndetësisë. Ai shprehu shqetësimin e opozitës për gjendjen e rënduar në sektorin e shëndetësisë, duke thënë se rasti i fundit në Pejë tregon më së mirë për gjendjen në këtë sektor. E kreu i PDK-së, Memli Kransiqi, ka kërkuar që sa më parë të caktohet ministri i ri Shëndetësisë, pasi thekson se krimi e ka kapluar këtë sektor.
LDK-ja e ka cilësuar ekzekutivin si bashkëpjesëmarrës në ngjarjen tragjike në Spitalin e Pejës, ku një foshnje është futur në rrobalarëse e mbështjellë me çarçaf.
Ish-ministri Armend Zemaj ka akuzuar drejtuesit e Spitalit të Pejës, Ministrinë e Shëndetësisë dhe SSHKUK-në që, sipas tij, tentuan ta fshehin këtë rast.
“Duhet të shkarkohen e të dënohen menjëherë të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë krim të supozuar, përfshirë ata që kanë fshehur këtë ngjarje të tmerrshme e të paprecedent, fatkeqësisht u faktua ajo që kisha thënë para disa kohe se vetëm Kurti është më i dobët dhe më i dëmshëm se ministrat e tij të Shëndetësisë. Kryeministri Kurti është i pari që duhet të shkarkojë veten nga pozita e drejtuesit të Shëndetësisë, sepse rasti i foshnjës në Pejë është skandali më tragjik i mundshëm”, ka thënë Zemaj.
Zemaj tha se ky rast tregon paaftësinë e Qeverisë për të menaxhuar me sektorin e Shëndetësisë.
Sipas tij, 300 mjekë e kanë lëshuar vendin këto 2 vjet dhe se vetëm 5% e buxhetit për investime është shfrytëzuar në shëndetësi.
E kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti të emërojë sa më shpejt ministër të Shëndetësisë, pasi që, sipas tij, krimi e ka mbuluar këtë sektor.
Edhe
LDK-ja e bën përgjegjës Kurtin për rastin e foshnjës në Spitalin e Pejës, kërkon shkarkime
“Edhe çka tjetër duhet të ndodhë në Kosovë, që kjo Qeveri ta marrë seriozisht shëndetësinë? Ku është ministri? Ku është drejtori i SHSKUK-së? Pse është tentuar që të fshihet ky rast? Vetëm tri javë më parë një grua u vra në oborrin e një institucioni shëndetësor publik. A i ka mbetur fije morali ndokujt në këtë Qeveri, apo të gjithë shikojnë vetëm postet dhe privilegjet personale? Caktojeni atë ministër sa më shpejt kryeministër e dilni zot pacientëve. Krimi ta ka kapluar sektorin. I shokuar!” ka thënë Krasniqi.
E Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme ndaj personave të përfshirë në rast dhe personave të cilët kanë tentuar ta fshehin këtë rast.