Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas takimit të sotëm të liderëve në forumin rajonal në Shkup. Në këtë reagim thuhet se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm por pasi të sqarohet e kaluara.
“Republika e Kosovës nuk ka interes të mbyllet hermetikisht dhe nuk e bënë këtë por, krahasuar me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka pësuar shumë në luftën e fundit prandaj e ka të pamundur ta tejkalojë këtë çështje pa u sqaruar e kaluara e që Serbia me kokëfortësi dhe arrogancë po refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale, nuk dëshiron ta pranojë përgjegjësinë dhe fajësinë shumë konkrete për krimet e kryera në Kosovë: krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, deri në gjenocid”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Më tutje KMDLNJ përmend këtu faktin se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia për një kohë të gjatë janë përfitues të liberalizimit të vizave derisa Kosovës i mohohet liria e lëvizjes në BE. që nuk po thuhet publikisht.
“Serbia po e zbaton në praktikë ndjenjën e pandëshkueshmërisë për kriminelët e saj dhe po projekton dhe prodhon “kriminelë” në radhët e shqiptarëve (viktimave) duke mos e pranuar as aktin fillestar simbolik siç është kërkim falja e që është vetëm hap i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Për më keq në mënyre flagrantë po ndërhynë në punët e brendshme të një shteti sovran dhe të pavarur duke bërë përpjekje për destabilizim afatgjatë të Kosovës përmes instrumentalizmit të pakicës serbe ne Kosovë” thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Më tutje ky këshilli ka theksuar se ‘nuk ka të ardhme pa u sqaruar e kaluara, nuk ka të ardhme pa u siguruar drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi të atyre që u dëshmohet se kanë bërë krime. Nëse Qeveria e Kosovës nuk e përmbush detyrimin kushtetues për sigurimin e drejtësisë për të gjitha viktimave dhe përgjegjësisë për të gjithë kriminelët do të identifikohet si shkelëse e të drejtave të njeriut për moszbatim të ligjit e që qartazi për Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk paraqet fare problem , as ligjorë e as moral. Nga e tëra kjo , Serbia vetëm i fërkon duart duke i larë si Pont Pilati për krimet e bëra në Kosovë dhe hapësirat e ish – Jugosllavisë” është thënë mes tjerash në këtë reagim.