Pejë, 16 shkurt - Aksioni për Nëna dhe Fëmijë bashkë me organizatorët e “Çiklizmi rreth Kosovës për fëmijët” dorëzuan sot aparatin për përcaktimin e Proteinës C Reaktive (CRP) në gjak dhe hemogramit në Klinikën e Neonatologjisë - aparat ky i nevojshëm për të përmirësuar dhe shpëtuar jetën e foshnjave në Njësinë e Neonatologjisë në Pejë.
Aparati është i nevojshëm për të përcaktuar nivelin e CRP-së në gjak dhe pasqyrën e gjakut te foshnjet e porsalindura, analiza këto të cilat ndihmojnë në diagnozën e infeksionit, nevojën për trajtim me antibiotikë, percjelljen e trajtimit, dhe kohën kur është e nevojshme që të ndërpritet antibioterapia. Pajisja do të ndikojë në përmirësimin e efikasitetit të shërbimeve të Klinkës dhe shpëtimin e foshnjave të posalindura.
“Ne si organizatë jemi të përkushtuar të ndihmojmë shpëtimin e jetëve të foshnjeve dhe punojmë në gjetjen e zgjidhjeve të problemeve me të cilat ballafaqohet Klinika. Është kënaqësi të dorëzojmë sot aparatin e CRP-së i cili do të përmirësojë efikasitetin dhe shërbimin e Klinikës ndaj shëndetit të foshnjeve," tha Janinë Mehmeti, Koordinatore e Ngritjeve të Fondeve në Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.
Ky aparat u sigurua nga fondet e ngritura nga turneu vendor “Çiklizmit rreth Kosovës për Fëmijët” e cila është një ngjarje bamirëse vjetore e çiklistëve vendor për të ngritur fonde për fondacionin humanitar “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.” Kjo ngjarje u realizua me sukses që nga viti 2014 me qëllimin që të ndihmojë përmirësimin e shëndetit të fëmijëve në vend.
“Jami falenderues për angazhimin e organizatës në ngritjen e cilësisë së shërbimeve tona për përkujdesjen dhe trajtimin sa më cilësorë të posalindurve duke na dhuruar këtë aparat të CRP-së, me anë të së cilit na mundësohet diagnostifikimi profesional i të posalindurve si dhe detektimi i patologjisë,“ theksoi për fund Dr. Mirlinda Shala, Drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë në Pejë.
Edhe
Dhurohen pajisje mjekësore për foshnje në Klinikën e Neonatologjisë në Mitrovicë
---
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjet e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës. Për më shumë www.amchealth.org