Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Klinika e Mjekësisë Nukleare përballet me mungesë stafi e me material radioaktiv të limituar

Prej afro dy javësh, qëkur në QKUK u funksionalizua aparatura që e bën skanimin e detajuar të trupit për identifikimin e qelizave kancerogjene, Klinika e Mjekësisë Nukleare është përballur me fluks të pacientëve. Aty, sipas menaxhmentit, deri më tash u trajtuan afro 30 pacientë. Por numri i atyre që mund ta marrin këtë shërbim brenda një jave është i kufizuar në 5, për shkakun e furnizimit të limituar me materialin e nevojshëm radioaktiv dhe të mungesës së stafit

Kërkesat e shumta të pacientëve për t’iu nënshtruar një incizimi përmes PET CT-së në QKUK kanë ndikuar që në Klinikën e Mjekësisë Nukleare të krijohet listë e pritjes deri në gusht. 

Që nga 25 qershori, kur në QKUK nisi që të ofrohet për herë të parë skanimi i detajuar i trupit për identifikim të qelizave kancerogjene, trajtim kanë marrë afro 30 pacientë. 

Drejtori i Klinikës, Fakir Spahiu, thotë se brenda një jave mund të trajtohen vetëm 5 pacientë, shkaku i kufizimit në furnizim me material radioaktiv nga prodhuesi.

“Ne jemi të njoftuar që 3 muajt e parë do të furnizohemi vetëm një herë në javë, pas tre muajve ne do të bashkëpunojmë dhe do të kontaktojmë me njëri-tjetrin që ne në të ardhmen do ta rrisim gradualisht furnizimin me material radioaktiv, i cili vjen nga Turqia”, ka thënë Spahiu.

Krahas materialit, Klinika përballet edhe me mungesë të stafit. 

Edhe Katër muaj pritje për shërbimin e skanimit PET/CT Arbëri Katër muaj pritje për shërbimin e skanimit PET/CT

Drejtori Spahiu thotë se është në pritje të angazhimit të dy specializantëve e katër teknikëve të rinj.

Që pas funksionalizimit të PET-CT-së, Klinikat e QKUK-së më nuk mund të lëshojnë raport konzilar për kryerjen e këtij shërbimi jashtë vendit apo në ndonjë institucion privat. Bazuar në raportin vjetor të punës së Fondit për Sigurime Shëndetësore, referimet nga Klinika e Mjekësisë Nukleare më 2023 patën shënuar rritje për 166 raste, në krahasim me vitin paraprak.

“Aplikimet sipas klinikave, në periudhën janar-dhjetor të vitit 2023 në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Klinika e Mjekësisë Nukleare gjatë vitit 2022 ka 71 aplikime, ndërsa 237 aplikime gjatë vitit 2023. Diferenca 166”, thuhet në raport. 

Lidhur me këtë rritje të rasteve, KOHA i adresoi pyetje Fondit, por nuk mori përgjigje. 

Edhe Pacientët presin me muaj për ta kryer incizimin që detekton qelizat kanceroze Arbëri Pacientët presin me muaj për ta kryer incizimin që detekton qelizat kanceroze

E Spahiu tha se numri është rritur, për pasojë, që nga viti 2022, kërkesat e të gjitha klinikave i janë referuar asaj Nukleare që ai e drejton. 

Deri sivjet, pacientët që kanë pasur nevojë për skanim të detajuar me PET CT, kostoja e së cilës e kap vlerën e 1 mijë e 400 eurove, i janë drejtuar një institucioni privat apo janë referuar jashtë shtetit.