Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Klinaku: Vuçiqi do ta përdorë Asociacionin kundër Kurtit

Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim, ka thënë se Serbia do ta kishte të vështirë nënshkrimin e një marrëveshje sipas dokumentit franko-gjerman, pasi sipas tij, nga ky dokument Serbia do të kishte shumë më pak përfitime se sa Kosova.

Klinaku në Interaktiv të KTV-së, tha të mërkurën, se Qeveria e Kosovës do të ketë vështirësi te marrëveshja që ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Sipas dokumentit franko-gjerman parashihet që njohja të shtyhet për 10 vjet, ndërsa Serbia të sillet siç është sillë Gjermania Perëndimore me atë Lindore, Kosovës i premtohet ulësja në OKB, njohja nga 5 vendet dhe Serbisë hyrja në BE dhe ndihma financiare. Serbia do ta ketë të vështirë ta nënshkruajë sepse përfitimet do t’i kishte shumë më të vogla se përfitimet që do të mund t’i kishte Kosova”, tha ai.

Klinaku ka deklaruar se presidenti serb do ta shfrytëzojë asociacionin kundër Qeverisë së Kosovës duke e ditur se kjo e fundit në asnjë mënyrë nuk e pranon.

“Nëse kemi parasysh zbatimin e marrëveshjeve të hershme nga Qeveria Kurti dhe mënyra si i shiti në opinion, edhe këtë pjesë (marrëveshjen pa njohje) e shet. Vështirësinë do ta ketë te zbatimi i marrëveshjeve të mëhershme dhe pjesën e Asociacionit. Vuçiqi si dhelpër fokusin do ta ketë të asociacioni. Kurthi e ngrit Vuçiqin ndaj Qeverisë së Kosovës. Në këtë drejtim do të ketë sukses, Qeveria do ta refuzojë Asociacionin. Kurti e ka çu deri në luftë civile vendin për Asociacionin, nuk mund ta pranoj dhe ajo nuk do të ndodhë. Kjo është pika kritike”, theksoi ai.

Klinaku shtoi se refuzimi i Asociacionit do të ketë edhe pasoja, por jo për Kosovën. Sipas tij, pasoja do të ketë posaçërisht për Qeverinë e vendit.

“Do të ketë vështirësi për Qeverinë e Kosovës sepse refuzimi i çdo gjëje sjell edhe pasoja për atë që e bën. Në fund do të vijë deri te shtrimi i drejtë i çështjeve, reciprociteti dhe përcaktim i kufijve dhe atëherë njohja bëhet e panevojshme”.

Artikuj të ngjashëm