Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KKSB-ja në Kaçanik kërkon ashpërsi ndaj tejkaluesve të shpejtësisë në trafik

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën Kaçanikut gjatë mbledhjes së dytë të rregullt për këtë vit ka ngritur një varg çështjesh në interes të përgjithshëm, ndërkohë si pikë më e rëndësishme është ngritur çështja e vozitësve në komunikacion, të cilët po e tejkalojnë shpejtësinë.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka sugjeruar komandantin e Stacionit të Policisë, Afrim Halili, i cili është edhe anëtar i KKSB-së, që të rritet numri i patrullave policore në rrugët e kësaj komune e sidomos të kontrollohen sa më shumë vozitësit të cilët po zhvillojnë shpejtësi të madhe në komunikacion, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kërkojmë nga Policia e Kosovës që sa më shumë të organizojnë patrulla për të kontrolluar shpejtësinë e vozitësve, sidomos në rrugët që po zhvillohen punime nga kompania “Bechtel Enka” e që mund të shkaktojnë rrezik në komunikacion”, ka thënë Ilazi. Sipas tij, vozitësit e kësaj kompanie megjithëse po i dëmtojnë rrugët lokale, ata po e rrezikojnë edhe sigurinë e banorëve.

“Rrugët lokale të asfaltuara nga buxheti vetjak i komunës po dëmtohen mjaft shumë nga kjo kompani, ndërkohë nuk po kemi të drejtë t’i ndalojmë ato, sepse kështu na u është drejtuar niveli qendror nëpërmjet një letre. Mirëpo ne kemi të drejtë ta kontrollojmë shpejtësinë e vozitësve derisa ata po paraqesin rrezik për qytetarët”, ka thënë midis të tjerash Ilazi.

Nga ana tjetër, komandanti i Stacionit të Policisë në Kaçanik, Afrim Halili, gjatë raportimit të tij për situatën e sigurisë në Kaçanik, ka thënë se aktualisht gjendja është e qetë dhe pa indikacione për përkeqësime. “Falënderojmë të gjithë qytetarët për vetëdijesimin e tyre, ndërsa uroi që nga viti në vit të ketë vetëm përmirësime dhe jo përkeqësime të situatës. Policia gjatë 24 orëve është në terren dhe po e mban situatën nën kontroll, njëkohësisht vazhdimisht jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve”, ka thënë ai.

Ndërkaq anëtarët e KKSB-së konsideruan se mungesa e parkingjeve në qytet po e vështirëson dhe rrezikon qytetarët e Komunës së Kaçanikut dhe njëherësh kërkuan që sa më shpejt të gjendet mundësia e zgjidhjes së këtij problemi. Anëtarët po ashtu kërkuan që hapësirat e uzurpuara nga shitësit ambulatorë dhe nga dyqanet tregtare të lirohen në mënyrë që të shtohet hapësira publike... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.