Pjesëtarë të shumtë të Policisë së Kosovës rrethuan të enjten vendin ku po mbahet panairi “Prishtina 2018”.
Krejt kjo ndodhi pas paralajmërimeve të Lëvizjes Vetëvendosjes për një aksion simbolik për të kundërshtuar praninë e madhe të kompanive serbe në panair.
Pasi u paralajmëruan nga Policia se nuk do të mund të hynin brenda, aktivistët pankartën me mbishkrimin “Jo normalizimit të hegjemonisë ekonomike të Serbisë në Kosovë” e vendosën në rrethojat e objektit, raporton KTV.
Deputeti i Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, akuzoi Odën Ekonomike të Kosovës se ndau hapësirë prej 500 metrash për bizneset serbe, derisa injoroi bizneset nga Shqipëria.
Edhe pas përfundimit të këtij aksioni, gjatë gjithë kohës policia ka patrulluar duke monitoruar gjendjen brenda në panair.
Edhe
Aksion simbolik i VV-së në panairin “Prishtina 2018”
Bizneset serbe, të cilat po dominojnë panairin këtë vit, thonë se po ndihen të sigurt me pjesëmarrjen në Kosovë dhe se ata po tentojnë t’i vënë kontaktet e tyre në mënyrë që në një të ardhme të afërt t’i hapin përfaqësitë e tyre në Kosovë.
“Pas një kohe të gjatë, është hera e parë që po vij. Dhe, them se jam befasuar nga atmosfera miqësore në qytet dhe panair. Shpresoj komunikimi ndërmjet nesh të jetë gjithmonë edhe më i mirë, sepse ne kështu dëshirojmë. Ftesën e kemi parë nga Oda Ekonomike e Serbisë dhe kishim disa takime me organizata të ndryshme”, ka thënë Nenad Nikolin.
“Është hera e parë që jemi këtu dhe jemi të kënaqur me interesimin dhe po ndihemi të sigurt. Po përpiqemi të plasojmë prodhimet tona, të gjejmë dikë që do të punonte në Kosovë për ne. Në panair erdhëm nëpërmjet Odës Ekonomike të Serbisë”, ka thënë Marinko Papriq nga kompania “Tiha”, Sremska Kamenica.
“Në këtë panair jam për herë të parë. Dhe, them se qenka i organizuar mirë sa i përket anës së Odës Ekonomike të Serbisë. Kam njohur shumë biznesmenë dhe them se ia vlejti vizita. Sinqerisht, nuk kam qenë moti në Prishtinë dhe shumë gjëra m’u dukën të panjohura, por po ndihem mirë, sepse njerëzit janë komunikues. Nuk kam ndonjë ankesë”, ka thënë Jovan Vela nga kompania “Hemodom”.
Ndërsa, bizneset kosovare thonë se një siguri e tillë dhe mirëpritje do të duhej t’u ofrohej edhe atyre në Serbi.
Derisa bizneset serbe në këtë panair morën pjesë me 70 kompani, Shqipëria këtu u përfaqësua me vetëm një biznes.
Edhe
Reagimet për pjesëmarrjen e 70 kompanive serbe në panairin “Prishtina 2018”
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se e gjithë kjo situatë e krijuar, ka ardhur si pasojë e një moskomunikimi të duhur ndërmjet dy odave ekonomike, të Kosovës dhe asaj Shqipërisë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, nuk është përgjigjur në thirrjet e KTV-së për të folur rreth kritikave të shumta që i janë bërë për këtë organizim.