Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, tani nuk po i pëlqejnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese pasi ka filluar t’i evidentojë shkeljet e saj.
Ajo e ka përmendur rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe 22 shkeljet që Kushtetuesja i ka gjetur në marrëveshjen e vitit 2013 për Asociacionin, vendime këto që Kica-Xhelili thotë se i shkuan përshtati Vetëvendosjes e tash, sipas saj, Haxhiu po befasohet po nga kjo gjykatë.
Kjo Gjykatë Kushtetuese (GJK) ka rrëzuar Qeverinë Hoti - vendim që i shkoi për shtat asokohe ministres Haxhiu. Kjo GJK ka gjetur me të drejtë 22 shkelje në marrëveshjen për Asociacionin - që i shkoi për shtat gjithë VV-së si pretekst se në pushtet kishim shkelës të Kushtetutës.*** Por - kur e njëjta Gjykatë ka filluar t’i evidentoj shkeljet e Ministres Haxhiu, ajo paska filluar të befasohet. Paska filluar ta vë në pyetje kredibilitetin e GJK”, ka shkruar ajo në Facebook.
Deputetja që ka kaluar nga VV-ja në LDK ka thënë se është fat që “kushtetutshmëria e këtij vendi nuk varet nga Albulenat e Doarsat”.
“Natyrisht. Sepse sot, ajo është zyrtarisht shkelësja e Kushtetutës që dikur e përçmonte si tradhëti kombëtare - dhe i dhemb rruga që ka shtruar vet me kolegë. I paska rënë ndërmend se në pushtet paska ndonjëherë edhe njerëz që gabojnë, jo monstrumë. Megjithëse duke i njohur - këta nuk gabojnë pa qëllim. Për Ministren nuk qenka më GJK e mirë. Ndryshon puna tash. Fati që kushtetutshmëria e këtij vendi nuk varet nga Albulenat. E natyrisht as nga Doarsat. Qoftë gjithmonë kështu”, ka shkruar ajo.