Rreth pesë temave të renditura si më të rëndësishmet për vendin ka kërkuar konsensus të gjerë kreu i PDK-së, Kadri Veseli.
Ai ka propozuar një platformë pesë-pikëshe, e të parën e ka renditur dialogun, të dytën asociacionin, e treta pikë është renditur ushtria, pas saj si e katërta agjenda evropiane dhe e pesta reforma zgjedhore, proces ky i nisur në 2012, e që nuk përfundoi asnjëherë, raporton KTV.
Letra u është drejtuar liderëve të partive kryesore në vend, Isa Mustafës, Albin Kurtit, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Begjet Pacollit e Grupit të Deputetëve të Pavarur.
Ky propozim vjen vetëm dy ditë para mbajtjes së tryezës së thirrur nga LDK-ja, përmes së cilës synohet arritja e një marrëveshjeje të gjerë për tema të mëdha për vendin.
Shefi i deputetëve të LDK-së thotë se kjo platformë e propozuar nga kreu i PDK-së tregon pafuqinë për të kaluar temat e mëdha, për të cilat edhe u ndërtua ky koalicion.
Edhe
Kështu u komentua sot propozimi i Veselit për “platformë konsensusi”
Ndërkohë, në lëvizjen Vetëvendosje kanë thënë se për dallim prej Veselit ata nuk i japin prioritet dialogut e kërkesave për Asociacionin.
Kanë thënë se me letrën ende nuk është marrë lideri Albin Kurti, që është në udhëtim në Sarajevë.
“Për dallim prej Kadri Veselit, ne nuk i japim prioritet dialogut me Serbinë dhe kërkesave të saj për 'Zajednicë', duke e lënë Ushtrinë e Kosovës si të tretën për nga renditja. Mbi të gjitha, ne i japim prioritet zhvillimit ekonomik për prodhim e punësim dhe drejtësisë kundër krimit e korrupsionit. Duket që letra e Veselit ka për qëllim kryesor që një presidenti kontrovers, si Thaçi, t'ia sajojë përreth një ekip uniteti. Ky është gabim e dëm për Kosovën”, ka thënë Tinka Kurti, zëdhënëse e VV-së.
Por, kryeministri Ramush Haradinaj, ka mirëpritur këtë iniciativë të partnerit të tij në koalicion.
Edhe
Veseli fton opozitën të lë mënjanë dallimet partiake, rezoluta thotë se është interes shtetëror
Ndërkohë, ende nuk dihet nëse tryezës së thirrur nga LDK-ja për të mërkurën do t’i përgjigjen pozitivisht partitë në pushtet.
Por, në partinë më të madhe opozitare thonë se nëse nuk ka lëvizje konkrete, atëherë mocioni i mosbesimit është e vetmja zgjidhje.