Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Këshilltari i Kurtit: 24 shtatori duhet të jetë pikë reflektimi në dialog

Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të jetë pikë reflektimi dhe pikënisje për një qasje të re në dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se një gjë të tillë e ka kërkuar edhe Parlamenti Evropian përmes rezolutës të votuar të enjten.

Zulfaj ka thënë se bota perëndimore duhet ta kuptojë që fajtore për mungesë të normalizimit është Serbia dhe presioni duhet të shtohet kah ajo. Ka kërkuar qasje që sjell balancim në dialog.

“E rëndësishme është që prej 24 shtatorit, kemi një situatë të re dhe besojmë që kjo duhet të jetë pikë reflektimi dhe pikënisje për qasje të re në dialog, të cilën e ka kërkuar edhe Parlamenti Evropian. Qasja e re duhet ta ketë këtë pikë kthese që fajtorja për mungesë të normalizimit është Serbia dhe presioni duhet të drejtohet kah Serbia, e cila nuk është e interesuar as për marrëdhënie, as për vlera. Na duhet një qasje që e sjell balancimin në dialog, kjo do të thotë se s’ka pas balancim dhe lehtësia që janë marrë masat ndaj Kosovës është marramendëse, derisa po vërehet vështirësia për të marrë sanksione ndaj Serbisë, ku ka dëshmi për pjesëmarrjen e tyre në sulm terrorist në Banjskë”, ka thënë Zulfaj në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Zulfajt, sulmi në Banjskë pashmangshëm lidhet edhe me dialogun.

“Të thuash se dialogu nuk është i lidhur me sulmin, është e pashmangshme. Sepse përderisa kryeministri ishte në tavolinë të bisedimeve, qartazi presidenti serb po bënte trajnimin për sulmin terrorist në Kosovë. Serbia nuk është partner kredibil në dialog. Nuk mund t’i besohet një presidenti që vjen në Bruksel për të dialoguar, ndërkohë ushtrinë e ka urdhëruar të trajnojë grupe terroriste për sulm në Kosovë. Ka mungesë kredibiliteti”, ka thënë ai.

Edhe Kurti: Nëse s’ka dënime dhe sanksione ndaj Serbisë, s’ka dialog Arbëri Kurti: Nëse s’ka dënime dhe sanksione ndaj Serbisë, s’ka dialog

Këshilltari i Kurtit ka thënë se kërkojnë që të ketë sekuencim të balancuar dhe të plotë të marrëveshjes së Ohrit, ku siç thotë ai, të gjitha nenet duhet të zbatohen.

Për vizitën e diplomatëve euroamerikanë ditën e nesërme në Prishtinë, Zulfaj ka thënë se nuk kanë informacione pse po vijnë.