Arbëri

Kërkohet formatizimi i dialogut

Njohës të çështjeve politike vlerësojnë se dialogu me Serbinë nuk duhet të vazhdojë pa përfunduar hetimet për përfshirjen e mundshme të këtij shteti në sulmin kundër Policisë në Banjskë të Zveçanit. Sipas tyre, vazhdimi i mundshëm i bisedimeve duhet të bëhet në një format krejt tjetër, e në të cilin më nuk diskutohet për Asociacion me kompetenca ekzekutive

Vazhdimit të dialogut me Serbinë duhet t’i paraprijnë rezultatet e hetimit vendor e ndërkombëtar për përfshirjen eventuale të këtij shteti në sulmin terrorist kundër Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, kanë thënë njohës të çështjeve politike.

Me një rezolutë të miratuar të enjten, Kuvendi i Kosovës i ka kërkuar perëndimit hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e saj.

Juristi Mazllum Baraliu thotë se kryeministri Albin Kurti nuk duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve e ta barazojë Kosovën me Serbinë, pa u vërtetuar fillimisht se ajo nuk ka gisht në sulmin dhe vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku.

“Me këtë ndërhyrje agresive dhe obstruktive të shtetit të Serbisë, nuk mund të ketë vazhdim të dialogut e as në formatin që ka qenë deri më tash. Do të duhej që dialogu të presë derisa të bëhen hetimet edhe brenda shtetit edhe nga një trupë ndërkombëtare, pra edhe nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Baraliu.

KOHA ka dërguar pyetje në Bashkimin Evropian e edhe në Ambasadën e Amerikës në Kosovë se a duhet të vazhdojë dialogu në të njëjtën kohë kur po zhvillohen hetimet, por nuk ka pranuar përgjigje.

Njohësit politikë thonë se vazhdimi i mundshëm i dialogut, duhet të bëhet krejtësisht në format tjetër.

Arbër Fetahu, hulumtues në Grupin për Studime Politike dhe Juridike, ka theksuar se sulmi kundër sovranitetit të Kosovës e ka kthyer përmbys edhe marrëveshjen e Brukselit e edhe atë të Ohrit.

“Nëse vazhdohet, së pari duhet të sanksionohet Serbia, duhet të ketë përgjegjësi të qartë për sulmin, duhet të ketë përgjegjësi të qartë për shkeljen e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit dhe në njëfarë forme duhet të krijohet një dialog i ri se çfarë mund të përfitojë Kosova tutje”, ka thënë Fetahu.

Kërkesë të ngjashme ka shtruar edhe Baraliu.

“Do të duhej nga fillimi të riformatizohej, të ristrukturohej, duke e pasur pikën e parë në një marrëveshjeje eventuale dhe sekuencimin e saj, njohjen e Kosovës nga Serbia, pastaj pikat e tjera”, ka thënë ai.

Sipas këtyre njohësve, temë diskutimi më nuk duhet të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e sidomos një Asociacion me kompetenca ekzekutive.