Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi për media bën me dije se në seancën e 40-të të Kuvendit të Komunës së Podujevës me kërkesë të këshilltarëve nga ky subjekt, është ftuar për të raportuar komandanti i Stacionit të Policisë, për të informuar Kuvendin lidhur me gjendjen e sigurisë në komunë.
Sipas kësaj partie politike, komandanti i policisë informoi Kuvendin se gjendja e sigurisë është e kënaqshme, “duke e vlerësuar Stacionin e policisë si shembullin më të mirë në Kosovë, të vetmin problem që paraqiti ishte gjendja në shkolla ku nxënësit po mbajnë armë të ftohta dhe të zjarrit dhe duke lënë fajtor prindërit”.
Mirëpo, këshilltarët e Vetëvendosjes, sipas këtij njoftimi, shprehën shqetësime lidhur me këtë raportim duke thënë se nuk ishin dakord me këto informata. Sipas tyre, raporti nuk paraqet gjendjen reale të sigurisë në Podujevë.
“Gjendja e trafikut, qoftë nga parkimet e veturave nga qytetarët në kundërshtim me rregullat apo taksitë ilegale, qytetarëve nuk iu është siguruar lëvizje e lirë dhe e sigurt. Siguria në shkolla është në nivelin më të ulët, sepse policia nuk është në rolin e duhur për të kryer shërbimin e sigurisë ndaj nxënësve, duke luftuar huliganizmin dhe armëmbajtjet nga nxënësit, kuptohet në bashkëpunim me prindërit dhe personelin mësimor”, thuhet në njoftim.
Gjithnjë sipas njoftimit, këshilltarët e Vetëvendosjes në diskutimet e tyre lidhur me informatën e komandantit theksuan edhe problemet tjera, siç janë: siguria në komunikacion, vjedhjet, vrasja enigmatike, ndërtimet pa leje, problemin e qenve endacakë, prerjen e pyjeve, etj..
“Komandanti i Policisë në Podujevë, gjendjen e tillë e arsyetoi me mungesën e stafit policor dhe moshën e policisë”, thuhet në njoftimin e LVV-së.