Shoqëria Lëvizja ka dorëzuar sot 12 lëndë për hetim në Prokurorinë Speciale. Këto lëndë hetimi janë për vrasjen e të gjashtëmbëdhjetë të burgosurve politik, të cilit ishin drejtues të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe Lëvizjes Kombëtare.
Xhevat Bislimi, kryetar i shoqërisë Lëvizja, tha se këto lëndë u dërguan për t’u hetuar vrasja e veprimtareve të lëvizjeve popullore, në mesin e të cilëve janë emrat e Kadri Zekës, vëllezërve Gërvalla, Ukshin Hoti, etj.
Bislmi ka njoftuar se ndërkohë do të dorëzojnë dhjetëra lëndë të tjera për vrasjen e të burgosurve politikë, transmeton kp.
Ai tha se shpreson që prokuroria t'i hetojë këto raste, në mënyrë që shoqëria ta ketë ndërgjegjen e qetë dhe populli ta dijë për fatin e tyre.
Kurse Bajram Ajeti nga kjo shoqëri, tha se është detyrë e prokurorisë t'i ndriçojnë rastet dhe të zbardhen.
Ai shtoi se mbase përgjegjësit për këto raste sot po shëtitën të lirë, por tha se sot nuk do të përmendë emra.
Në këto lëndë hetimi që janë dërguar sot, janë rastet e 16 të burgosurve politikë.