Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet transparencë e plotë në përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka shpallur konkurs për drejtor të Përgjithshëm.

Në këtë konkurs, kërkohet që kandidati që synon të bëhet drejtor i RTK-së, duhet të ketë përvojë 7-vjeçare në menaxhim të mediave, raporton KTV.

Kjo nuk parashihet me Ligjin aktual të transmetuesit publik, por ky kriter është përcaktuar nga bordi drejtues i këtij mediumi.

Këtë e ka thënë përmes një përgjigjeje me shkrim, kryetarja e Bordit të RTK-së, Afërdita Maliqi.

“Bordi i RTK-së ka hapur konkursin publik, duke u bazuar në ligjin aktual të RTK-së. Në këtë ligj, nuk përcaktohet sa vjet duhet të jetë përvoja, pra i mbetet bordit të vendosë për kriterin e përvojës. Duke qenë se po bëhen gati 20 vjet nga paslufta, bordi unanimisht ka vendosur që drejtori i ardhshëm të ketë përvojën e duhur për këtë pozitë kaq të rëndësishme”, ka thënë Maliqi.

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Media, që mbikëqyrin punën e këtij bordi, nuk e konsiderojnë këtë si shkelje ligjore.

Shoqëria civile kërkon që të ketë transparencë të plotë në zgjedhjen e drejtorit të transmetuesit publik.

Jeton Mehmeti nga Instituti GAP ka kërkuar që përzgjedhjen e drejtorit të RTK-së, ta mbikëqyrë Ambasada Britanike. Por, Bordi i transmetuesit publik thotë se nuk kanë marrëveshje ose memorandum me Ambasadën Britanike për këtë proces.

Sipas Ligjit aktual për RTK-në, Drejtori i Përgjithshëm i këtij mediumi emërohet dhe shkarkohet me 2/3 e votave të anëtarëve të Bordit.

Mandati i tij parashihet të jetë tre vjet, me mundësi të rizgjedhjes në bazë të konkursit, vetëm edhe për një mandat pasues. Por, ky kushtëzim është larguar në këtë konkurs.

Artikuj të ngjashëm