Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet trajtim i duhur i personave me sindromën Down në Kosovë

Xhenis Beqiri nga shoqata “Down Syndrome Kosova”, ka thënë se personat me sindromën Down nuk e kanë trajtimin e duhur në shoqërinë kosovare.

Beqiri ka thënë të martën në emisionin “SOT” në KTV, se shoqëria kosovare është stigmatizuese ndaj personave që i përkasin këtij komuniteti.

“Personat me sindromën Down nuk e gjejnë trajtimin e duhur në shoqëri. Shoqëria jonë është thuajse stigmatizuese dhe për këtë arsye është njëfarë hendeku për përfshirjen e tyre. Ne me Ipko-n jemi duke e mbajtur një fushatë ndërgjegjësuese e cila do të realizohet përgjatë gjithë muajit tetor”, ka thënë Beqiri.

Megjithatë, Beqiri ka thënë se ka shenja që shoqëria kosovare po vetëdijesohet lidhur me personat me sindromën Down.

“Në të kaluarën nuk ka qenë aq e pranueshme. Kjo është falë vetëdijesimit të shoqërisë përmes institucioneve dhe shoqatës Down Syndrome Kosova”, është shprehur ai.

Ai ka bërë të ditur se të martën, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të nisë fushata për promovimin e potencialit të personave me sindromën Down, e cila do të vazhdojë edhe në qendrat e tjera të mëdha të Kosovës.