Të hënën në Prishtinë është mbajtur konferenca në kuadër të Iniciativës “CorrWatch”, që ka për qëllim ofrimin e ekspertizës dhe mbështetjes për institucionet publike në eliminimin e parregullsitë dhe shkeljet ligjore që mund të hasen. Në konferencë, ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Aboot ka kërkuar angazhim kolektiv në luftimin e korrupsionit, e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për lëndët e dërguara në prokurori që ende nuk kanë marrë përgjigje
Korrupsioni ka ulur besimin e qytetarëve në institucione dhe ka rritur pabarazinë shoqërore, ka thënë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott, në tryezën e organizuar të hënën në kuadër të Iniciativës “CorrWatch”, ku u fol për zgjidhjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel.
Sipas Abottit, angazhimi kundër kësaj dukurie kërkon përpjekje kolektive, duke shtuar se zyrtarët publikë duhet të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre.
“Ambasada britanike përmes projekteve po u ndihmon në ndërtimin e kulturës dhe transparencës dhe transparenca është baza e llogaridhënies, të gjithë qytetarët dhe zyrtarët duhet të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Është e ditur që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është thuajse e pamundur pa një shoqëri civile dhe të pavarur pa institucione të forta dhe mosndëshkimi bëhet një themel ku ndërtohet korrupsioni”, ka thënë Abott.
Ai ka thënë se korrupsioni nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe morale.
“Sot është një ditë për të reflektuar mbi ndikimin që ka korrupsioni, ditë për të rizotëruar qëllimin për principet e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit. Korrupsioni nuk është vetëm çështje ligjore, por është edhe çështje morale që ul besimin në institucione dhe rrit pabarazinë sociale. Lufta kundër korrupsionit kërkon një pjekje kolektive të shoqërisë dhe Qeverisë”, ka shtuar ai.
Edhe
Abott: Me zbatim të rekomandimeve të shoqërisë civile institucionet dëshmojnë vullnet për transparencë
Ndërkaq ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se deri më tash janë dërguar në Polici dhe Prokurori mbi 200 lëndë, por që nuk kanë marrë ende përgjigje.
“Ajo çfarë kemi vërejtur është mungesa e veprimeve nga ana e institucioneve të drejtësisë në raport me rastet që i kemi dërguar konsideroj që është problem serioz sepse kur një institucion e dërgon një lëndë në prokurori dhe kur prokuroria fle mbi atë lëndë nuk e trajton kemi probleme serioze. Jam kritikuar shumë që po ndërhyj në drejtësi me deklarata publike, por nuk do të ndalem, do të vazhdoj që t’i adresoj kritika sistemit. Si Ministri e Drejtësisë kemi marrë shumë iniciativa të cilat fuqizojnë mekanizmat kundër korrupsionit dhe adresojnë paketën ligjore kundër korrupsionit”, ka thënë Haxhiu. Sipas saj, kjo fushatë do të vazhdojë edhe ditëve të tjera.
“Janë bërë diku 32 muaj apo më shumë të mandatit tonë qeverisës dhe qysh në fillim kemi pasur prioritet që së pari shkeljet që i gjejmë në institucionet të cilat i udhëheqim t’i adresojmë në institucione të drejtësisë pra secili ministër i kabinetit qeveritar apo shef agjencie që e ka marrë detyrën ka qenë i fokusuar në adresimin e shkeljeve brenda institucioneve sepse të tilla ka pasur shumë”, ka theksuar Haxhiu.
E drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Ylli Buleshkaj, ka theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional është bazë për luftimin e korrupsionit.
“Po sfidohemi nga korrupsioni që ndikon në shoqëri edhe institucione duke gërryer gjëra të tjera. Shoqëria ka treguar se kurdo që është sfiduar ka dalë edhe më e fuqishme, andaj edhe unë shpresoj që nga kjo sfidë do të dalim më të fuqishëm. Sinjalizimi është mekanizëm, i cili ka sfida, sepse është mekanizëm i brendshëm pastaj besimi tek zyrtarët e pastaj te kompetenca për trajtimin e rasteve”, ka potencuar Buleshkaj.
Edhe
OSBE-ja kërkon efikasitet nga gjykatat për lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit
Drejtoresha e GLSP-së, Arbresha Loxha-Stublla, është shprehur se projekti i lansuar në bashkëpunim me institutet GAP dhe INDEP ka për qëllim të ofrojë ekspertizë për institucionet publike në eliminimin e shkeljeve ligjore.
Sipas saj, ky projekt ka në qendër monitorimin e rregullt në pesë fusha kryesore- proceset e rekrutimit në sektorin publik; praktikat e prokurimit publik dhe menaxhimin e kontratave; shpërndarjen e granteve dhe subvencioneve; dhënien e lejeve, licencave dhe tarifave; si dhe, menaxhimin e ndërmarrjeve publike.