Arbëri

Kërkohet sundim i ligjit për mjedis më të mirë të të bërit biznes

Pritjet e gjata për rastet e bizneseve të ngritura në Departamentin Ekonomik të Gjykatës Themelore të Prishtinës kanë qenë shqetësimi i ngritur në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, me temën “Sundimi i ligjit nga perspektiva e sektorit privat”.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane tha se kompanive po iu mungon besimi në institucionet e vendit, përfshirë edhe ato të drejtësisë, raporton KTV.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se po synojnë themelimin e një gjykate komerciale, e cila do ta rriste efikasitetin e drejtësisë karshi bizneseve.

Por kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, thotë se lëndëve ku përfshihen bizneset iu jepet prioritet. Sipas tij, në Gjykatën Themelore të Prishtinës vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, janë zgjidhur 92 përqind e çështjeve ekonomike.

Ndërkaq, Alison Storsve, nga Zyra Politike dhe Ekonomike e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, u shpreh se sundimi i ligjit duhet të ndodhë, në mënyrë që të mundësojë një klimë biznesi në rritje.

Në panel ishin të pranishëm edhe përfaqësues të kompanive të ndryshme, ku e ngritën çështjen e zvarritjes së lëndëve në procesin gjyqësor.