Arbëri

Kërkohet që me urgjencë të trajtohet çështja e Ligjit të RTK-së

Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së sot ka zhvilluar takim me kryetarin e Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media, Mërgim Lushtaku. Sindikata ka kërkuar nga komisioni që me urgjencë ta trajtojë çështjen e ligjit të ri të RTK-së dhe i njëjti të shkojë në Kuvend për miratim. Kryetari i komisionit, Mërgim Lushtaku, tha se këtë çështje e kanë ndër prioritetet kryesore në komision dhe në dhjetor do ta fusin si procedurë për trajtim në komision.

Përmes një njoftimi për media, Sindikata ka njoftuar se u ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të Komisionit për Media, që çështje primare ta kenë trajtimin dhe miratimin e ligjit të ri të RTK-së, ku ndër të tjera, sipas tyre, parashihet forma e pavarur e financimit të televizionit, duke shmangur kështu situatat si ajo e heqjes se 2.2 milionë nga buxheti i RTK-së.

“Sindikata po ashtu i bën thirrje Komisionit për Media që të përmbahet dhe të mos interferojë politikisht në Transmetuesin Publik, gjë e cila është e ndaluar edhe me ligjin aktual të RTK-së. RTK ka Bordin dhe për çdo kërkesë, ankesë apo sqarim duhet të marrin informacione nga i njëjti, duke përjashtuar kështu çdo ndikim politik në RTK”, thuhet në njoftim.

Sindikata ka kërkuar nga Bordi që sa më parë të kompletohet menaxhmenti i RTK-së, për pozitat të cilat tashmë janë hapur konkurse.