Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kërkohet intesifikim i punës nga inspektorët në sektorin e ndërtimtarisë

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka kërkuar nga inspektorët e punës që të intesifikojnë punën për kryerjen e detyrave, në inspektimin dhe kontrollimin e kushteve dhe masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, me theks të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë.

Ky takim vjen vetëm një ditë pasi të shtunën u shënua vdekja e 18-të në vendin e punës në vitin 2018.

“Kërkova që të jenë të pakompromis, si dhe në bashkëpunim me kompanitë të rrisin edhe përgjegjësinë e punëmarrësve dhe punëdhënësve për ngritjen e vetëdijes në aplikimin dhe respektimin e të gjitha masave të mbrojtjes dhe sigurisë në punë”, ka thënë Reçica, pas takimit me inspektorët, njofton ministria.

Tutje, Reçica, sipas njoftimit, ka deklaruar se duke pasur parasysh numrin e aksidenteve, të atyre edhe me fatalitet, kërkoi nga Inspektorati i Punës që në ditët në vijim të rrisin numrin e inspektimeve në vendpunishtet e ndërtimtarisë anekënd Kosovës, veçanërisht në Prishtinë dhe qytetet ku sektori i ndërtimtarisë është më prezent.

“Nga Inspektorët mësova se vetëm në Prishtinë janë kryer inspektime në 244 kompani të sektorit të ndërtimit. Gjithashtu Inspektorati i Punës kërkon bashkëpunim më të madh edhe nga institucionet e tjera të implikuara si dhe nga qytetarët, me qëllim të rritjes së vetëdijes”, ka thënë ai.

Image