Buxhet i veçantë është kërkuar të alokojë shteti kundër dhunës në familje. Në shënimin e fushatës globale kundër dhunës në Komunën e Podujevës është thënë se institucionet duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar rastet e tilla.
Kryetari i Agim Veliu, e ka quajtur qyqarllëk dhunën. Ka thënë të mos ketë asgjë burrërore këtu, shkruan sot Koha Ditore.
“Dhuna nuk është burrëri. Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve vazhdon të mbetet shqetësuese. Në Kosovë viktima të dhunës në familje janë gratë, fëmijët e të moshuarit. Dhuna ndaj grave dhe fëmijëve nuk është as humane. Dhuna ndaj grave ka edhe një kosto të lartë për shtetin. Ndikon negativisht edhe në ardhmërinë. Kosova ka bërë një përparim me ligje, por dhuna vazhdon të mbetet shqetësuese”, ka thënë Agim Veliu. “Të ngresh dorë ndaj grave e fëmijëve është qyqarllëk. Duhet të bëjmë çmos që ta ruajmë familjen. Dhuna prek secilin çdo moshë e gjini, atyre burrave që mendojnë se është trimëri ushtrimi i dhunës u themi hiç dorë nga dhuna ndaj grave! Vetëm një qyqar ngre dorë ndaj një personi më të dobët se ai”.
Kreu komunal ka kërkuar nga policia e prokuroria që të jenë më rigorozë në dënimin e atyre që ushtrojnë dhunë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)