Forca që i ruan kufijtë e Kosovës aktualisht nuk ka ndonjë indikacion të brendshëm apo të jashtëm që mund ta cenojnë situatën e sigurisë.
Komandanti i ri i KFOR-it, Franco Federici, gjatë një konference online me disa gazetarë, pjesë e së cilës ishte edhe KOHA ka folur për rrethanën pas ngritjes së aktakuzave nga Gjykata Speciale.
Ai pret sjellje të moderuar, por edhe janë të gatshëm për intervenim si reagues i tretë.
"Nuk kemi asnjë indikacion që tregon se situata do të ndryshojë. Jemi të bindur që secili do të sillet në mënyrë të moderuar. Më lejoni të theksoj se KFOR-i nuk është i përfshirë në Gjykatën Speciale. Kjo është temë tërësisht jashtë mandatit tonë. KFOR-i nuk bën hetime. Megjithëkëtë, ne e përcjellim situatën dhe jemi të vëmendshëm. Ne jemi të gatshëm të intervenojmë nëse ka tensione e protesta pas ngritjes së aktakuzave...", ka pohuar Federici.
Ai ka thënë se KFOR-i nuk është i shqetësuar as me armatosjen e Serbisë dhe deklaratat e zyrtarëve nga Beogradi për mundësinë e një konflikti nëse nuk ka zgjidhje politike.
Sipas Federicit, deri tani nuk kanë hetuar ndonjë rrezik që mund ta prishë qetësinë as në veriun e populluar me shumicë serbe.
Ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë.
“Sikurse ka thënë sekretari gjeneral, NATO e mbështet dialogun. Ne mirëpresim çdo hap që forcon bashkëjetesën mes komuniteteve dhe do ta luajmë rolin tonë si ndihmues në këtë drejtim”, ka shtuar ai.
Gjeneral-majori italian ka përsëritur se bashkëpunimi me FSK-në po vazhdon sipas mandatit të kaluar, përderisa nuk vendos ndryshe selia e NATO-s në Bruksel.
KFOR-i aktualisht ka 3 mijë e 500 ushtarë në Kosovë dhe siç ka thënë Federici, për momentin nuk planifikojnë reduktim të trupave.