Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Keqtrajtimi i cigareshitësit me aftësi të kufizuara, shembull i dhimbshëm

Në një nga kafenetë e Prishtinës, muaj më parë duarve të Faton Gashit u është vënë flaka nga pronarë e punonjës të këtij lokali.

Pos që e keqtrajtojnë, në videon që është shpërndarë në Facebook të martën, personat që i vënë lëndë djegëse, dëgjohen teksa e përqeshin shkaku i frikës kur Fatoni sheh duart e tij të marrin flakë.

Faton Gashi është person me nevoja të veçanta e që në rrugët e kryeqytetit shumë e njohin si shitës cigaresh.

Kështu di për të edhe Fjolla Rraci, aktiviste e të drejtave të personave me nevoja të veçanta, e cila e ka shpërndarë videon në faqen e saj në Facebook.

Ajo tregon për KOHËN pse vendosi ta bëjë publike videon.

Edhe Policia arreston personat që keqtrajtuan shitësin e cigareve me kallje duarsh Arbëri Policia arreston personat që keqtrajtuan shitësin e cigareve me kallje duarsh

“Videon e kam marrë nga një person në Facebook. Më ka pyetur se a është me down sindrome. Mirëpo, kur e kam pa videon e kam harru pyetjen që ma ka bo edhe jom përcaktu tek ajo se çka është kanë t’u i ndodhë Fatonit. Atë e njoh gjatë kohës sa kam qenë duke jetu në Prishtinë. Kjo ke e rëndësishme me e postu edhe me e pa se qysh trajtohet një person me nevoja të veçanta në Prishtinë”, ka thënë ajo.

Rraci gjatë së martës, kur edhe është vënë në dijeni për videon ka kontaktuar me Faton Gashin, i cili i ka treguar për gjendjen e tij.

“Kur e kom pa videon, sendin e parë që e kom bo është e kom thirrë Fatonin edhe më ka thanë që është mirë edhe ka thonë 'qishtu lujnë, mahiten ata me mu', e kom pyet a është mirë prej duarve, më ka thanë që po se ka ndodhë shumë ditë ma përpara. Telefonatën që e kom bo me të ai ka qenë në rrugë, duke e vazhdu ditën si zakonisht”, ka thënë Rraci.

Sipas Rracit, Gashi është shembull i dhimbshëm se si keqtrajtohen personat me nevoja të veçanta sikurse ai.

“Në fund të ditës, nëse një person me nevoja të veçanta dhe që del e shet, për me fitu paren vet, n'fund të ditës shërben si atraksion për njerëzit e tjerë që e quajnë vetën "tipik". Nashta para syve nuk e kupton, ama në fund të ditës cilësohen si persona që veç i përqeshin edhe e kalojnë pak kohën me ta”, ka thënë ajo.

Ky rast, nga Policia është cilësuar si shkaktimi rrezikut të përgjithshëm dhe për këtë janë intervistuar 3 persona.

Edhe Avokati i Gashit: Bastisja në shtëpinë e tij është kryer pa urdhër të gjykatës Arbëri Avokati i Gashit: Bastisja në shtëpinë e tij është kryer pa urdhër të gjykatës

“Sot pas publikimit të videos, ku dyshohej për një keqtrajtim të një personi, njësitet përkatëse policore menjëherë kanë ndërmarrë një varg veprimesh operative të cilat kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të përfshirë në këtë rast. Pas intervistimit personat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërkohë që për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti i cili është cilësuar si Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, janë duke punuar hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Një raport i vitit të kaluar i Caritas Kosovës vë në pah mungesën e trajtimit të personave me nevoja të veçanta nga shteti por edhe nga shoqëria.

“Ekziston një tendencë e përgjithshme e shoqërisë për të neglizhuar dhe shtypur çështjet e aftësisë së kufizuar dhe shëndetit mendor”, thuhet në këtë raport.