Rozafa Kelmendi nga Un Women ishte e ftuar në “Express Intervistën” për të folur për fushatën kundër dhunës ndaj grave.
Sipas saj rritja e raportimeve të dhunës është sinjal se gratë në Kosovë po vetëdijësohen.
Të dhënat e OKB-së thonë se çdo e treta grua ka përjetuar ndonjë formë të dhunës.
“Dita e sotme shënon fillimin e fushatës 16 ditë aktivizëm kundër dhunës ndaj grave. Çdo e shkelje e të drejtave të grave është shkelje e të drejtave të njeriut. Kemi pasur një marsh në Gjakovë e në Pejë konferencë. Tani është duke u ndriçuar Qeveria si dhe do të ndriçohet edhe Biblioteka në ngjyrë të portokalltë. Portokallta është ngjyra kundër dhunës ndaj grave”, ka thënë Kelmendi.
Ajo ka shtuar se është zgjedhur Biblioteka Kombëtare në Prishtinë për shkak se ajo është një nga hapësirat më të pasigurta për gratë dhe vajzat gjatë natës.
Edhe
Në javën e shëndetit mendor kërkohet zbatim i ligjit për parandalimin e dhunës
“Nuk mund të përmendim ndonjë statistikë, por hapësirat te Biblioteka dhe Parku i Qytetit janë hapësirat ku kanë ndodhur rastet më të shpeshta”, u shpreh Kelmendi.
Sipas saj janë bërë shumë ndryshime, dhe janë të lumtur me ligjet që tani përfshihen të gjitha llojet e dhunës ndaj grave, megjithatë sipas saj duhet të fuqizohet zbatimi i ligjit.
Tutje ajo ka folur edhe për situatën në strehimore, kur thotë se ka mungesë buxhetore.
“Nevojitet rritje të buxhetit për strehimorit. Mund të thonë se këto kanë kosto të lartë, por më e lartë është dhuna ndaj këtyre grave. Vitin e kaluar fatmirësisht është përfshirë një linjë e veçantë për strehimoret. Ministria ka thënë se është duke e finalizuar procedurat për ndarjen e këtij buxheti. Në rastin kur gruaja del nga strehimorja ajo është e rrezikuar sërish”, ka thënë Kelmendi, që ka bërë thirrje për fuqizimin ekonomik të grave. “Gjatë vitit të kaluar janë hapur 166 biznese të vogla, prandaj bëjmë thirrje të bëhet fuqizimi ekonomik i grave”.
Kelmendi shprehet se pandëshkueshmëria duhet të zëvendësohet me drejtësi.
“Akoma asnjë rast nuk kemi që është dënuar për dhunën seksuale. Duhet të zëvendësohet pandëshkueshmëria me drejtësi dhe indiferenca me veprim. Fatkeqësisht në luftën për barazi gjinore gratë thuajse janë të vetme. Tash është një brez i ri, dhe edhe djemtë e rinj tani besojnë në barazi dhe janë aleat të barazisë. Gratë vazhdojnë të përballen me stigmë dhe nuk ndihen të gatshme të flasin. Ne si shoqëri kemi dështuar t’u japim përkrahje atyre në mënyrën që duhet”, thotë Kelmendi.
Ajo ka shtuar se nga 87 mijë raste të grave më 2017, 58 për qind janë vrarë nga bashkëshortët dhe kjo e bën shtëpinë vendin më të pasigurt për gratë.
E alarmante në Kosovë është mosha e re e viktimave të dhunës seksuale.
Edhe
Raporti i UN Woman: Mbi gjysma e grave në Kosovë, viktima të dhunës nga partnerët
“Në Kosovë viktimat e dhunës seksuale janë nga 11deri 16 vjeçare dhe kjo është alarmante. Në shumicën e rasteve ndodhin në rrethe të ngushta. Tani është duke shkuar edhe një fushatë që të punohet më tepër në shkolla. Dhuna në baza gjinore është më së paku e raportuar në nivel global por edhe në Kosovë. Fakti që kemi shënuar rritje të raportimeve është një sinjal i mirë se gratë po vetëdijesohen”, ka thënë ajo.
Kelmendi ka shtuar se duhet të ketë bashkëpunim më të madh me MASHT-in në mënyrë që të edukohen brezat e rinj.