Arbëri

KEK-u sot e vë në punë Bllokun A4

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sonte pritet të vë në punë Bllokun A4. Në një njoftim të publikuar në ueb-faqen e Komunës së Obiliqit që i referohet kësaj korporate, thuhet se kjo po bëhet pas një remonti 7-mujor.

“Për shkak të procesit teknologjik të punës që bëhet në Termocentralin ‘Kosova-A’, herë pas here mund të ketë edhe probleme teknike. Pas remontit 7-mujor, njësia e Bllokut A4 sot me dt.03.12.2021 në interval kohor nga ora 20:00 e tutje sipas planifikimit do të fillojë me fazën startuese për punë”, thuhet në këtë njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se gjatë startimit të kësaj njësie dhe provave që do bëhen deri në stabilizimin e njësisë, do të krijohet zhurmë, gazra dhe tym, e cila është pjesë e procesit teknologjik të punës dhe se ky proces mund të vazhdojë 4 deri në 5 ditë.

“Lidhur me këtë dukuri, paraprakisht po ju informojmë se zhurma që do të krijohet nuk paraqet ndonjë rrezik për rrethinën, por është pjesë e procesit të punës dhe ajo do të tejkalohet pas normalizimit të njësisë për punë”, përfundon njoftimi.