Arbëri

KEDS-i shkatërron parkun në Kodër të Diellit, banorët ankohen

Në gjendje të mjerueshme ka përfunduar një park në “Kodrën e Diellit”.

Shkak kryesor i dëmtimit të kësaj pjese të lagjes, sipas banorëve, janë punimet që KEDS-i i kishte nisur aty para dy muajsh, raporton KTV.

E për punimet e kësaj kompanie në këtë pjesë të qytetit, banorë të irrituar me gjendjen aktuale shfaqin shqetësimet e tyre.

Derisa thonë se dëmet e shkaktuara këtu, paraqesin problem për ta gjatë lëvizjes së tyre ditore.

Televizioni ka kontaktuar me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, lidhur me çështjen dhe shqetësimet e banorëve të kësaj pjese.

Ai, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se projekti do të përfundojë së shpejti dhe garanton furnizim më të mirë me energji.

“Shaktat tashmë janë mbuluar. Dihet se ndërtimi i tyre merr kohë disa javë, pasi duhet pritur tharja e betonit. KEDS-i do të angazhojë ekipe shtesë në fillim të javës së ardhshme dhe do të kryhet komplet projekti. Ky projekt po bëhet që të ketë furnizim sa më stabil me energji elektrike, pra përfitojnë direkt banorët e asaj ane dhe po bëhet direkt për të mirën e tyre si linjë alternative”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.

Ndërsa, përveç problemeve me dëmtimet e parkut në “Kodrën e Diellit”, banorët thonë se për shkak të punimeve, pa ndriçim ka mbetur edhe pllaka përkujtimore e veprimtarit të njohur, Enver Maloku.