Arbëri

S’ka udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Çështje të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, ka sqaruar se Komisioni Evropian qëmoti kishte konstatuar se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe çështja e liberalizimit të vizave është e vonuar shumë, teksa tash ndodhet në pritje në Këshillin e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian nuk ka ndërmend të nxjerrë një udhërrëfyes të ri për liberalizim të vizave për Kosovën dhe mbetet me qëndrimin që kishte shprehur në vitin 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave të vitit 2012.

Kështu është përgjigjur të martën Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Çështje të Fqinjësisë dhe Zgjerimit. Ajo ka sqaruar se Komisioni Evropian qëmoti kishte konstatuar se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe çështja e liberalizimit të vizave është e vonuar shumë, teksa tash ndodhet në pritje, në Këshillin e Bashkimit Evropian.

Në këtë mënyrë, zëdhënësja Pisonero i ka sqaruar paqartësitë, të cilat janë krijuar pas një deklarate të Komisionerit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, se Komisioni do që së bashku me autoritetet e vendeve anëtare dhe ato të Kosovës, të krijojë një udhërrëfyes të ri, për të adresuar disa shqetësime të vendeve anëtare.

“Kosova ende po e pret liberalizimin e vizave. Është një çështje që po ashtu duhet të shtyhet para. Ndonëse duhet të jemi të qartë se janë disa fusha, si luftimi i krimit të organizuar, trafikimi dhe pretendimet false për azil, ku shtetet tona anëtare presin rezultate të qarta. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën në mënyrë të ngjashme siç bëmë me Shqipërinë: jemi të gatshëm të vendosim një udhërrëfyes së bashku me shtetet tona anëtare për t’iu adresuar shqetësimeve të caktuara. Autoritetet e shteteve anëtare (agjencitë e rendit e ligjit, forcat policore) duhet të përfshihen në terren për ta ndihmuar Kosovën. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm të japim gjithë përkrahjen e nevojshme financiare, teknike e politike në këtë proces”, kishte thënë Varhelyi të hënën, në një debat të organizuar në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropa, ku kanë marrë pjesë deputetë nga vendet anëtare, e po ashtu deputetë të vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit.

Sipas zëdhënëses së Komisionit Evropian, nuk bëhet fjalë për një udhërrëfyes të ri, por vetëm për gatishmërinë e Komisionit Evropian që të ndihmojë në raportet ndërmjet Kosovës dhe autoriteteve të disa vendeve që ende i kanë disa shqetësime, sa i përket luftës kundër korrupsionit, azilkërkuesve të rremë dhe çështjeve të migracionit.

Bashkimi Evropian ka shprehur qëndrimin se ka ardhur koha që të lëvizet përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky qëndrim ishte shprehur nga shumë liderë në takimin e fundit të Këshillit Evropian. Por procedura formale ende nuk është nisur në Këshill dhe kjo pritet të ndodhë gjatë kryesimit çek mbi Bashkimin Evropian, kryesim ky që fillon pas dy ditësh.

Sipas diplomatëve evropianë, deklarata e komisionerit Varhelyi kishte shkaktuar huti në BE, pasi që askush deri më tash nuk e ka përmendur ndonjë mundësi të ketë ndonjë udhërrëfyes të ri për Kosovën dhe se Komisioni mund të ketë ndonjë rol të ri, për të bërë ndonjë vlerësim të ri, pasi Komisioni mbetet në vlerësimin se janë përmbushur të gjitha kriteret.