E pamjaftueshme u kualifikua ndarja buxhetore për gratë në politikë, gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës. Aty u shpreh vërejtja se Ligji për Financimin e Subjekteve Politike garanton shpërndarjen e parasë në mënyrë të barabartë mes partive, por jo edhe brenda tyre
I pamjaftueshëm u kualifikua buxhetimi për gratë në parti politike, në një tryezë diskutimit të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, me temë “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”
Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, shprehu vërejtjen se Ligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk parasheh ndarje të ndonjë përqindje specifike të buxhetit për gratë. Ai theksoi që mospjesëmarrja e grave në buxhet e vështirëson pjesëmarrjen e tyre në politikë, duke e bërë pozitën e grave të pabarabartë në raport me burrat.
“Vlerësohet se është një draft dokument do të thotë draft Ligj për reformën zgjedhore që diku në një vlerë 1 për qind do të jepet nga KQZ-ja si mbështetje shtesë për të gjithë kandidatë ose kandidatet në këtë rast të partisë, subjektet që kanë kaluar 30 për qind kuotën e pjesëmarrjes në përfaqësimin politik ose përfshirë në parlamentin e Kosovës”, ka thënë Kryeziu.
Albulena Haxhiu, që në diskutim mori pjesë në cilësinë e kryetares së “Lëvizjes për Gratë” në Vetëvendosje, krahas nevojës për shtyrjen përpara të aspektit të buxhetimit të barabartë gjinor, e theksoi edhe nevojën për rritjen e kuotës gjinore në 50 për qind.
“Gratë deputete të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit të kaluar, në fakt para dy viteve kanë hyrë pa kuotën gjinore, pra, pa e pasur nevojën e kuotës gjinore për shkak se ne kemi bërë fushata të shumta”, ka thënë Haxhiu.
E Eliza Hoxha, nga Partia Demokratike, vlerësoi se pabarazia gjinore nis që nga kuota, që është 30 dhe jo 50 për qind.
“Ky 30 megjithatë ka garantuar që Kuvendi i Kosovës dhe institucionet e nivelit qendror të kenë pjesëmarrje, nuk po them të mjaftueshme, po të dëshirueshme të grave në jetën politike”, ka thënë Hoxha.
Diellza Kukaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, theksoi mbështetjen e pamjaftueshme buxhetore për fushatat e grave kandidate në zgjedhje.
“Subjektet politike të krijojnë mekanizëm të veçantë që i mundëson edhe shpenzimi i buxhetit edhe planifikimi të jetë shumë herë më i mirë dhe më i drejtë nëse i përfshin edhe nevojat e grave”, ka thënë Kukaj.
Në këtë tryezë pjesëmarrës ishte edhe zëvendësambasadori i Çekisë në Kosovë, Jurai Melioris, ndërsa ani se ishte e ftuar, në të nuk mori pjesë anëtarja e Lidhjes Demokratike, Jeohna Lushaku-Sadriu.