Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KDI: Komisionit hetimor për rezerva i ka skaduar mandati, u mbledh jashtëligjshëm

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) nëpërmjet një reagimi ka thënë se Komisioni hetimor parlamentar për skandalin me rezervat shtetërore në Ministrinë e Tregtisë, të hënën ka mbajtur mbledhje në shpërputhje me Ligjin për hetim parlamentar.

Kjo pasi sipas tyre, këtij Komisioni me 21 mars i ka skaduar mandati prej gjashtë muajsh i dhënë nga Kuvendi.

“Mandati i këtij komisioni ka përfunduar me 21 mars të këtij viti, pasi kanë kaluar 6 muaj nga data e themelimit të tij nga Kuvendi me 21 shtator 2023 . Ligji për Hetim Parlamentar e thotë shprehimisht që komisioni hetimor themelohet në datën e marrjes së vendimit të Kuvendit për themelimin e tij dhe mandati i tij është 6 muaj. Sipas Ligjit, në mënyrë që Komisionit hetimor t’i vazhdohet mandati, kryetari i komisionit duhet t’i drejtohet me kërkesë Kryesisë së Kuvendi, pas aprovimit të secilës vazhdimi i mandatit të komisionit hetimor duhet të votohet në seancë”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Sipas tyre çdo mbledhje e këtij Komisioni që mbahet pa iu vazhduar mandati nga Kuvendi, duke përfshirë edhe atë të mbajtur sot, janë të jashtëligjshme.