Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KDI-ja pyet Qeverinë: “Ku janë inspektorët e ‘premtuar’ të punës”

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar hulumtimin me titull “Ku janë inspektorët e ‘premtuar’ të punës?”.

Sipas punimit që është publikuar në një tryezë diskutimi të mbajtur të mërkurën, pavarësisht lëvizjeve pozitive në drejtim të përmbushjes së premtimit për rritjen e numrit të inspektorëve, procesi i rekrutimit të inspektorëve të rinj të punës është ende në hapat e parë.

Albesa Humolli nga KDI-ja ka shpalosur gjetjet kryesore të këtij hulumtimi që thuhet se trajton sfidat me të cilat po përballen institucionet e përfshira në procesin e rekrutimit të inspektorëve të punës.

Në komunikatën e KDI-së për këtë tryezë janë numëruar këto sfida.

“Sfidat përfshijnë dështimin e konkurseve të brendshme për inspektorë të punës për shkak të mosinteresimit të shërbyeseve civilë, mungesën e kategorizimit si grup pune të pozitës ‘inspektor i punës’, mungesën e kapaciteteve të Departamentit për menaxhimin e zyrtarëve publikë, mosfunksionalizimin e Komisionin Kombëtar të Klasifikimit si dhe mungesën e Komisionit Shtetëror të Pranimit.

Sipas komunikatës Humolli ka theksuar se rritja e numrit të inspektorëve dhe kapaciteteve të Inspektoratit të Punës janë mënyra më e mirë për të siguruar respektim të të drejtave të punës.

Në këtë tryezë diskutimi kanë marr pjesë edhe kryeinspektori e Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, drejtori e Departamentit për menaxhimin e zyrtarëve publikë, Bislim Bislimi dhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi,

“Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, nënvizoi nevojën urgjente për rritjen e numrit të inspektorëve dhe përmendi sfidat e Inspektoratit në rekrutimin e 100 inspektorëve të rinj të punës. Nikçi u shpreh optimist se për konkurset e shpallura nga Inspektorati do të ketë më shumë interesim, për shkak se me Ligjin e ri për paga do të ketë pagë më të dinjitetshme për inspektorët e punës, për shkak të rangimit më të mirë të pozitës dhe shtesave të rrezikshmërisë në punë”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, Drejtori i Departamentit për menaxhimin e zyrtarëve publikë, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bislim Bislimi, thuhet se ka potencuar se me reformimin e administratës publike, e gjithë barra e rekrutimit të jashtëm për nevojat e administratës publike ka kaluar në këtë departament.

“Megjithatë, duke qenë se kjo reformë është zbatuar pa përgatitje, udhëzime apo trajnime paraprake, Departamenti nuk ka arritur të zhvillojë asnjë procedurë të rekrutimit të jashtëm për më tepër se tre vite”, citohet të këtë thënë Bislimi.

Ai thuhet se ka përmendur sfidat ligjore e procedurale me të cilat është përcjell rekrutimi i inspektorëve të punës, por ka shtuar se është adresuar çështja e formimit të grupit të punës “inspektor”, është funksionalizuar Komisionin Kombëtar të Klasifikimit, ndërsa shumë shpejt pritet të formohen edhe Komisionet Shtetërore të Pranimit. “Sipas Bislimit, këto zgjidhje kanë trasuar rrugën për rekrutimin e inspektorëve të punës, meqë rast javën e kaluar është shpallur konkursi për 19 inspektorë të rinj të punës”, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thuhet se ka vlerësuar që shkeljet nga marrëdhënia e punës janë alarmante dhe rritja e numrit të inspektorëve është më se e nevojshme. “Sipas Azemit, mungon vullneti institucional për të tejkaluar problemet ligjore në lidhje me rekrutimin e inspektorëve të punës dhe se inspektorët tashmë do të duhet të ishin rekrutuar, duke qenë se buxheti veçse i është alokuar Inspektoratit në fillim të vitit 2023”, thuhet në komunikatë.

Tutje theksohet se të pranishmit kanë ngritur për diskutim çështjen e dixhitalizimit të punës së Inspektoratit, trajnimeve për inspektorët e rinj të punës, si dhe bashkëpunimin me inspektoratet e tjera, në veçanti Inspektorin e Përgjithshëm.

Artikuj të ngjashëm