Komuna e Ferizajt vazhdon të jetë ndër komunat më pak të prekura nga koronavirusi. Pavarësisht numrit të madh të testimeve që janë bërë, pjesë më e madhe e tyre ka rezultuar negative.
Kryetari i saj, Agim Aliu ka deklaruar se duke u nisur nga fakti se në Kosovë janë rritur shifrat e infektimeve me COVID-19, edhe kjo komunë mund të ballafaqohet me numër më të madh infektimesh. Aktualisht, Komuna e Ferizajt i ka 127 raste aktive me koronavirus.
“Në këtë fazë kur tashmë është duke filluar faza e dytë, apo vala e dytë Covid-19, në përgjithësi ka qenë më e qetë dhe kemi pasur më pak raste karshi komunave tjera. Pavarësisht faktit që kemi pasur një numër të konsiderueshëm të testeve, me dhjetëra e qindra teste, ka rezultuar që shumica prej tyre kanë qenë negative. Pra kemi pasur dukshëm numër më të vogël të rasteve me Covid-19 edhe në këtë fazë por sigurisht që kjo nuk do të thotë që ditëve në vijim të mos kemi raste me Covid, kur kemi parasysh ngritja që është duke u bërë në mënyrë të vazhdueshme… Tashmë dihet që shifrat në rang të Republikës janë në mes 200 dhe 300 dhe kjo tregon që shumë shpejt edhe ne në Ferizaj, mund të ballafaqohemi me një numër më të madh të rasteve të të prekurve me Covid-19”, ka thënë Aliu.
Koronavirusi ka prekur edhe shkollat e Ferizajt. Katër nxënës dhe dy mësimdhënës kanë rezultuar pozitivë me këtë virus ndërsa thuhet se nuk ka pasur nevojë për mbylljen e tërësishme të atyre shkollave.
“Ajo që ne kemi bërë dhe që po bëjmë vazhdimisht është apelimi i respektimit të masave dhe çdo shkollë është është e obliguar dhe janë duke i marrë të gjitha masat dhe veprimet në mënyrë që të ketë mbrojtje nga Covid-19”, thotë Aliu.
Edhe
12 shkolla në mësim online në Ferizaj, 517 nxënës e 112 mësimdhënës të infektuar
Mësimdhënësit dhe nxënësit e infektuar janë izoluar dhe janë duke u bërë testime ndaj personave që kanë pasur kontakt me të prekurit.
“Janë marrë masa të izolimit dhe sigurisht se priten testime për komunikimet që ata kanë pasur, por sipas rezultateve që kanë ardhur kanë rezultuar negative rastet tjera, kështu që ka bërë më të lehtë menaxhimin e situatës në këto shkolla ku kemi pasur raste me të prekur me Covid-19”, ka thënë Aliu./KP