Profesoresha universitare e ekonomisë, Albulena Kastrati, ka deklaruar se tarifat për shërbime bankare janë të larta dhe absurde.
E ftuar të martën në emisionin “60 Minuta” të KTV-së, Kastrati ka thënë se Banka Qendrore e Kosovës duhet të ndërmarrë masa në këtë drejtim.
“Tarifat për shërbime bankare janë të larta dhe absurde. BQK-ja duhet të ndërmarrë masa në këtë drejtim. Konkurrenca më e madhe, niveli i zhvillimit, ka shumë më shumë transparencë në tregjet tjera”, ka thënë ajo.
Ajo më tej ka deklaruar se kur inflacioni është i lartë, përfitues dalin qytetarët kredimarrës.
“Ne i kemi të dhënat e fundit të inflacionit në Kosovë, inflacioni vjetor është 14.1 për qind, çka bëjnë bankat komerciale si në Kosovë, si gjithkund në botë, e ndërtojnë normën e interesit, patjetër e marrin parasysh apo e fusin në normë të interesit edhe inflacionin. Normat e interesit që i kemi marrë para disa vjetëve që kanë qenë 10 për qind, nëntë për qind, e që tani kanë rënë në 5.9 për qind, këto janë shumë më të ulëta se inflacioni. Ne që i kemi marrë me norma fikse para disa viteve, i kemi normat e interesit në kredi më të ulëta se inflacioni, tani na bie të përfitojmë. Vetëm në këtë rast kur ka inflacion përfiton qytetari kredimarrës”, është shprehur ajo.
Edhe
Inflacioni e rrezikon edhe rritjen e normave të interesit të kredive
Sipas Kastratit, momentalisht ka lëvizje globale dhe kriza të njëpasnjëshme.
“Në vitin 2021 bashkë me hapjen e ekonomive është rritur kërkesa për konsum, është rritur kërkesa për produkte ndërkohë që gjatë pandemisë është mbyllur prodhimi. Pra, sa herë që ka pak produkte në treg rriten çmimet”, ka thënë ajo.
Prej korrikut të vitit 2021, Kastrati ka shtuar se janë rreth 75 banka qendrore në botë që kanë filluar ta rrisin normën bazë të interesit.
“Tani çka po ndodhë në Evropë, është që po ndodhë krizë humanitare, rritje të çmimeve, rënie ekonomike, pra investitorët vetëm shikojnë se ku ka norma të interesit më të larta që ta zhvendosin kapitalin e tyre në atë shtet”, është shprehur më tej ajo.
Sa i përket përballimit të krizës globale, Kastrati ka thënë se politikat që janë përdorur nga shtetet tjera, duke ulur TVSH-në dhe akcizën, nuk kanë dalë të jenë efektive.
Edhe
Fitim i madh i bankave, ulën kamatat e kredive por i rritën tarifat
Sipas saj, mënyra më e mirë për të ndihmuar qytetarët është që të rriten shpenzimet qeveritar.
“Ndihma e drejtpërdrejtë është e duhura, por jo për të gjithë qytetarët. Rritja e çmimeve në Kosovë varet nga zhvillimet globale. Një ekonomi e fortë patjetër kërkon edhe zhvillim të sektorit privat. Ne nuk e kemi këtë sektor të zhvilluar, mendoj se ky sektor duhet përkrahur”, ka thënë ajo.