Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kastrati: Qeveria duket se nuk po investon shumë, nga frika se mos po korruptohet

Albulenë Kastrati, ligjëruese e ekonomisë, ka thënë se zhvillimeve globale nuk ka mundur t’u ikë as Kosova sa i përket aspektit ekonomik. Ajo ka thënë se prej vitesh, ende nga problemet më të theksuara është papunësia, sidomos te rinia.

“Papunësia vazhdon të jetë një nga problemet kryesore ekonomike. Qeveria ka marrë iniciativë të punësojë mijëra të rinj, por kur bëhen politika për rritjen e punësimit në Kosovë duhet të bëhet duke pasur parasysh rininë në mendje. Në një raport të UNDP, 80% e të intervistuarve mendojnë se punësimi nuk bëhet në baza meritore, pra ne kemi degjenerim të madh në institucione publike, jo vetëm humbje besimi, por demoralizim”.

Kastrati ka shtuar se edhe pse investimet e huaja direkte janë rritur, ato mbeten të koncentruara në patundshmëri dhe shërbime financiare. Sipas saj, Kosovës i nevojiten investitorë të mëdhenj që mund të punësojnë mijëra të rinj.

“Investimet e huaja direkte janë rritur, gati janë dyfishuar por mbeten të koncentruara në patundshmëria dhe shërbimet financiare. Patundshmëria krijon punësim vetëm sezonal. Kritika ka qenë që nuk ka arritë me sjellë 1 apo 2 investitorë të mëdhenj që i hapin 1000-2000 vende të reja pune dhe punësohen të rinjtë. Investimet e huaja si rriten, mund edhe të bijnë”.

Kastrati ka deklaruar se pritjet ndaj Qeverisë kanë qenë më të mëdha bazuar në kritikat e mëhershme që partia në pushtet ka pasur sa ka qenë në opozitë.

“Kam pritur që meqë kryeministri ka qenë shumë kritik në opozitë për korrupsionin, haraqin, pse nuk i kanë marrë t’i risjellin ata investitorë. Te shpenzimet kapitale buxhetore që kanë rënë është se duket se po e përcjellin qasjen se nuk po investojmë shumë nga frika se mos po korruptohemi pastaj. Kjo si duket mund të jetë një nga arsyet, përveç mungesës së strategjisë, stafit profesional, etj”.

Edhe Ahmeti: Qeveria po e pengon zhvillimin ekonomik Ekonomi Ahmeti: Qeveria po e pengon zhvillimin ekonomik

E, ajo ka theksuar se sa i përket rritjes ekonomike, Qeveria nuk mund t’i marrë meritat për të gjithë atë.

“Kemi pasur në vitin 2020 rënie 5.1%, pastaj 2021 ka mbledhur edhe efektet e mosbërjes biznes të vitit 2020, 10.7. Del një rritje vjetore pak më e madhe se pak para pandemisë, kështu që për 10.7% nuk mund ta marrë meritën Qeveria për gjithë rritjen, por një pikë përqindje po”.