Episodi i dytë i emisionit “Pro X” ju sjell rrëfimin e pilotes nga Kosova në Ushtrinë amerikane. Është kjo Valdeta Mehanja, e cila fëmijërinë e kaloi në kohë lufte. Kjo ishte arsyeja që para më shumë se dy dekadave, ajo së bashku me familjen të marrin rrugën për në Gjermani dhe ndjenja e të qenët refugjate kishte qenë pjesë e identitetit të përhershëm të saj. Ky emërtim e ka identifikuar gjithmonë si një bazë për t’ia matur arritjet deri sot.
“Jam vajza e dytë nga katër fëmijë. Atëherë ka qenë një jetë pak më e vështirë, kemi qenë refugjatë në Gjermani dhe në verën e vitit 2000 jemi kthyer përsëri në Kosovë”, ka treguar Mehanja.
Valdeta Mehanja, sot është pilote helikopteri në Ushtrinë amerikane. Rruga e saj deri te kjo pozitë karakterizohet nga dëshira për të qëndruar në qiell. Deri atje, Mehanja ndoqi një rrugëtim të gjatë plot sfida, të cilave ajo kishte vendosur të mos u dorëzohej.
“Kam punuar si kontraktuese në Irak dhe në Afganistan, pasi që kam kursyer para dhe kam shkuar në Floridë ku kam studiuar shkencën e Aeronautikës dhe atje kam filluar fluturimet privatisht me fakultet dhe pasi që e kam përfunduar, jam bërë instruktore dhe u kam dhënë mësim nxënësve. Më pas u hap një program që t’i bashkëngjitëm Ushtrisë amerikane dhe unë e motra i jemi bashkangjitur”, është shprehur tutje ajo.