Kardinali, Ernest Simoni, ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve në një seminar të zhvilluar në Romë për ritet e ekzorcizmit. Ai rrëfeu se ritet për të larguar të keqen i ka kryer edhe për myslimanët, kur ia kanë kërkuar.
Kardinali tha para priftërinjve në Romë se ushtron ekzorcizmin edhe me anë të telefonit.
Kardinali shqiptar, Ernest Simoni, i cili prej rreth 10 vitesh është i autorizuar nga kisha katolike për të kryer ritet e ekzorcizmit, mënyrat për të përballuar sfidat e së keqes, i ka habitur të gjithë atë që ka dëshmuar në një leksion të hapur në Romë, transmeton oranews.
Kardinali ka rrëfyer se kur i është kërkuar, ka ndihmuar edhe myslimanët me ritet e ekzorcizmit.
Simoni: Kam kryer ekzorcizëm në Shqipëri dhe ndaj myslimanëve kur ma kanë kërkuar. Kam bekuar dhe shtëpitë e myslimanëve, kur ata ma kanë kërkuar, i ka shëruar Jezusi e unë veç kam ndihmuar. Unë jam si të gjithë të tjerët.
Në këto kohë moderne, kardinali Simoni tha para priftërinjve se ai ushtron ekzorcizmin dhe me anë të telefonit.
Ritet, nënvizon ai, duhet të kryhen vetëm nga priftërinjtë e autorizuar nga Kisha.
Simoni: Kryej 4-5 ekzorcizma në ditë, ka deklaruar ai para 200 priftërinjve. Unë vetëm ndihmoj me misionin tim, shërimi vjen nga Jezu Krishti. Ai na ka mësuar të shtypim djajtë, të shërojmë njerëz dhe unë e bëj.
Rreth 200 priftërinj nga e gjithë bota janë mbledhur në Romë në Universitetin Papal “Regina Apostolorum” për të ndjekur për një javë rresht leksione ndaj ekzorcizmit.
Ky kurs në nivel universitar vjen për të ndihmuar priftërinjtë që hasin vështirësi në zgjidhjen e problemeve të personave që kërkojnë të çlirohen nga kontakti me botën e errët të magjisë, të satanizmit, apo që janë pranë aksioneve të djallit.