Kandidati i LDK-së për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit, Adnan Merovci ka bërë parashikimin e tij për institucione të reja të qëndrueshme.
Sipas Merovcit koalicioni VV-LDK do të ishte vaksina e nevojshme për Kosovën. Ai thotë se nga ky koalicion, kryeministër do të duhej të zgjedhej Albin Kurti, kryetar i Kosovës, Lutfi Haziri ndërkaq Kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Merovci thotë se Vjosa Osmani do të duhej t’i kthehej LDK-së dhe për më tepër të marrë edhe postin e të pares së kësaj partie, dhe postin e ministres së Jashtme nga koalicioni VV-LDK.
“Kjo arrihet nëse aplikohet Vaksina kundër inateve, mllefeve, hakmarrjeve dhe krejtë kjo për Kosovën! Ndalohet përdorimi dhe aplikimi i pjesshëm apo i plotë i Vaksinës pa pëlqimin e autorit!|”, ka shkruar Merovci në facebook.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit sipas të cilave VV-ja ka fituar 49.95 për qind të votave, PDK-ja 16,9%, LDK-ja 12, 64% ndërkaq AAK-ja 7,07%.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë qenë në koalicion qeverisës vitin e kaluar për afro një muaj e gjysmë mirëpo LDK-ja është larguar më 18 mars nga koalicioni pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti për të shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.
Edhe
LVV-ja nuk e mohon marrëveshjen në parim me LDK-në
Ky shkarkim kishte ardhur pas një deklarate të Veliut në lidhje me pandeminë me koronavirus, gjë që Kurti e kishte vlerësuar si përhapje e panikut tek qytetarët.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, kishte thënë atëherë se partneri i koalicionit, VV-ja, ka shkelur në disa pika marrëveshjen për bashkëqeverisje.
LDK-ja dhe VV-ja kanë pasur mospajtimet edhe rreth taksës ndaj mallrave të Serbisë.