Një rast i ri pozitiv me COVID-19 për herë të parë që nga 10 korriku i vitit të kaluar ka mjaftuar që kryeqyteti i Australisë, Kanbera, të vihet nën izolim njëjavor. Ndërsa në Kosovë, në ditën kur janë regjistruar plot 1009 raste të reja pozitive, Qeveria e vendit ka vendosur të merret me kufizime në gastronomi. Madje për këtë ka vendosur që kufizimet të vlejnë nga data 20 gusht.
Masat e reja nënkuptojnë që në klubet e natës apo organizime të tjera si ahengjet familjare, nga 20 gushti, do të lejohen të hyjnë vetëm ata që dëshmojnë se janë të vaksinuar; kanë kaluar COVID-19 në 6 muajt e fundit; apo që kanë me vete testin negativ të kryer në 72 orët e fundit.
Kanbera do të vihet në izolim njëjavor pas regjistrimit të një rasti të vetëm me COVID-19 në qytet, përderisa prania e virusit është evidentuar në ujërat e zeza. Kanbera i bashkohet Sidnejit, Melburnit dhe disa qyteteve në shtetin e Uellsit të Ri jugor që janë nën izolim shkaku i variantit Delta të koronavirusit.
Ndërkaq, të enjten në Kosovë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, bëri të ditur se në mbi 80 për qind të rasteve të reja që po regjistrohen në Kosovë, dominon ky variant që është katër herë më lehtë i shpërndarshëm se varianti alfa.
Banorëve të Kanberës, që nga ora 17 të enjten, u lejohet të largohen nga shtëpitë vetëm për arsye të rëndësishme, përderisa dyqanet ushqimore me pakicë do të mbyllen dhe restorantet do të mund të shesin vetëm ushqim. Autoritetet e kryeqytetit kanë njoftuar se shkollat do të jenë të hapura për nxënësit që nuk mund të qëndrojnë në shtëpi. I infektuari i vetëm në qytetin me 460 mijë banorë është i pari i regjistruar që nga 10 korriku i vitit të kaluar. Zyrtarët shëndetësorë bënë të ditur se i infektuari 20-vjeçar kishte rënë në kontakt me virusin që nga e diela dhe ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19 gjatë së enjtes.
Në Kosovë, edhe pse u shtuan “kufizimet” në gastronomi, atyre do t’u zgjatet orari i lejuar i punës deri në orën 03:00.