Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari”, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është duke u viktimizuar sa i përket moslejimit për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
I ftuar në Interaktiv të KTV-së, Kamberi ka thënë se Vuçiqi po përpiqet që në një anë të shihet sikurse viktimë, duke mos reaguar ndaj vendimit të Kosovës, nga ana tjetër mobilizon nacionalizmat serbë në Kosovë me Listën Serbe, në Bosnjë e Hercegovinë me Republikën Serbe dhe në Mal të Zi me elementet pro-serbe. Sipas tij, Vuçiqi në anën tjetër po përpiqet të paraqitet si faktori i vetëm i stabilitetit dhe paqes në rajon para syve të ndërkombëtarëve, e që këtë e tregon edhe me sloganin që e ka përdorur në këto zgjedhje “Paqe dhe stabilitet”.
“Vuçiqi po përpiqet që të viktimizohet duke e shfrytëzuar këtë çështjen që janë ndaluar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, për t’u viktimizuar brenda Serbisë në mënyrë që të paraqitet sikur mbrojtësi i vetëm i ‘serbëve të rrezikuar nga Prishtina’ dhe kështu për ta mobilizuar një elektorat më nacionalist serb për të votuar. Vuçiqi luan me dy karta si zakonisht, sikurse luan që kur ka ardhur në pushtet, pra mobilizon nacionalizmat serbë qoftë në Bosnjë me Dodikun dhe duke e përdorur edhe Vulinin brenda, qoftë me Listën Serbe në Kosovë, elementet pro-serbe në Mal të Zi. Në këtë drejtim ai po dëshiron të paraqitet sikur faktori i vetëm i stabilitetit dhe pacifikuesi i rajonit në Beograd. Në anën tjetër përpiqet të dalë në sytë e ndërkombëtarëve sikur i vetmi që po përpiqet për stabilizim në Ballkan, ndërkohë është vetë ai që e destabilizon Ballkanin”, ka thënë ai.
Kamberi ka shtuar se kontekstin e këtyre zgjedhjeve Serbia e ka ndryshuar për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
“Unë mendoj që këto zgjedhje kanë shumë më pak debat nacionalist sesa zgjedhjet e mëparshme. Kontekstin e këtyre zgjedhjeve Serbia e ka ndryshuar për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në njërën anë dhe në anën tjetër nëse e shihni debatin e sotëm në Serbi, nuk orientohet në asnjë lloj teme të nxehtë. Pothuajse nuk flitet për Kosovën, për Bosnje e Hercegovinën, nuk flitet për NATO-n megjithëse pushtetit i konvenon që t’i shtyjë pak këto tema. Opozita po u shmanget këtyre temave të nxehta”, ka thënë ai.