Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kamberi: Çështja e Asociacionit mund ta çojë vendin në zgjedhje

Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” ka thënë se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme për shumë arsye, por ka përmendur vetëm dy prej tyre të cilat lidhen me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Në fund të tetorit të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian propozoi draftstatutin e Asociacionit. Që atëherë, ky draftsatut është përballur me kritika edhe nga eksponentë të Qeverisë, por edhe nga opozita. Pavarësisht presionit ndërkombëtar që Kosova të bëjë hapa përpara për themelimin e tij, deri tash nuk ka pasur diçka konkrete.

E Kamberi ka thënë se kjo çështje do të mund të përdorej për avantazh nga Lëvizja Vetëvendosje në rast se do të ketë zgjedhje.

“Çështja e Asociacionit mund ta çojë vendin në zgjedhje për disa arsye. Partia në pushtet mund të përpiqet të fitojë legjitimitet të ri dhe ta përdorë kartën që nuk e ka zbatuar themelimin e Asociacionit gjatë fushatës zgjedhore. Por Asociacioni e pret çdo qeveri të ardhshme, kjo duhet ditur”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas analistit politik, ka mjegullime midis qëndrimeve të krerëve kryesorë të Kosovës për çështjen e Asociacionit.

Edhe Abrashi: Qeveria s’do që ta themelojë Asociacionin, prandaj po flitet për zgjedhje Arbëri Abrashi: Qeveria s’do që ta themelojë Asociacionin, prandaj po flitet për zgjedhje

“Mjegullimi midis qëndrimeve të krerëve kryesorë të Kosovës po vazhdon. Presidentja la me kuptu se i ka artikuluar disa shqetësime me draftstatutin, ndërsa para disa kohësh kryeministri pati qasje tjetër, duke thënë se do ta kishe përpiluar vetë draftstatutin, duke lënë me kuptu se nuk është i interesuar për komente për këtë draftstatut”, ka theksuar ai.

Vizitën e sotme në Kosovë të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Kamberi e lidh me përpjekjen për të vazhduar zbatimin e marrëveshjeve, veçanërisht ato më të ndjeshme.

“Një përpjekje për ta vazhduar zbatimin e marrëveshjeve, veçanërisht me çështje që janë më të ndjeshme, siç është Asociacioni, procesi i zgjedhjeve të reja në veri dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, që janë çështjet më të ndjeshme të marrëveshjes. Presioni për Kosovën do të jetë për themelimin e Asociacionit dhe jemi në fazën ku po kërkohet dorëzimi i komenteve për draftstatutin e pranuar në parim nga Qeveria e Kosovës”, ka theksuar ai.

Sipas Kamberit, pas vizitës së sotme të Lajçakut pritet të qartësohet nëse Kurti do të dërgojë komente mbi draftstatutin e Asociacionit.

Kamberi ka deklaruar se jozyrtarisht edhe heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës është kushtëzuar me themelimin e Asociacionit.

Edhe Kamberi: Dje filloi themelimi i Asociacionit Arbëri Kamberi: Dje filloi themelimi i Asociacionit

Siç thotë ai, me zgjedhjet në BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që pritet të mbahen sivjet, mund të ketë ndryshime të kursit.

“Me zgjedhjet në BE, kalendari po kufizohet çdo ditë e më shumë, prandaj do të ketë përpjekje më të mëdha për zbatim që të shënohen disa suksese. Në zgjedhjet në BE pritet të ketë rritje të djathtës ekstreme, e cila mund ta pengojë planin e zgjerimit të BE-së. Mund ta vështirësojnë frymën e BE-së karshi Ballkanit, por nuk besoj se do të ndryshojë shumë gjëra. Por në SHBA mund të kemi ndryshime të kursit nëse fiton Trumpi”, ka deklaruar Kamberi.