Shefja e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, sot do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Takimet e ndara të Kallasit me Kurtin dhe Vuçiqin u konfirmuan nga zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Anita Hipper, në një konferencë për media të mbajtur të hënën.
Këto takime, sipas saj, nuk zhvillohen në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kallas, e cila ka marr mandatin më 1 dhjetor duhet të vendosë se si të vazhdohet me procesin e dialogut Kosoëv-Serbi.
Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë takime edhe me presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
Ata do të marrin pjesë edhe në një darkë joformale që Kosta do të organizojë me të gjithë udhëheqësit e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Kurti i kërkon Kallasit që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se i ka kërkuar shefes së re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që shteti i Serbisë ta dorëzojë terroristin Milan Radoiçiq tek autoritetet e Kosovës si organizatori i sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
Kurti u takua të martën me Kallasin në Bruksel, si pjesë e takimeve të shefes së diplomacisë së BE-së që ka pasur sot me liderët e Ballkanit.
Pas takimit, kryeministri i Kosovës u shpreh optimist se Kallasi është në kohën dhe vendin e duhur dhe se rajoni do të përfitojë nga vlerat e saj.
“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Kryekrimineli i bandës që kreu këtë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 persona”, ka thënë Kurti.
Në takim, Kurti bëri të ditur se u diskutua edhe për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit. Vuri theksin te emblemat e konfiskuara, përfshirë një të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas bastisjeve që u kryen në veri. Për sulmin në Ibër-Lepenc, deri tash janë dy persona në paraburgim.
“Diskutuam edhe për sulmin e fundit. Kemi pasur punë profesionale nga autoritetet tona dhe duhet të marrim masa shtesë që të mos ndodh e njëjta gjë. Po zhvillohet hetim, ka të arrestuar, ka material të konfiskuar. Nga 74 distinktiva, emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, të njësive të ndryshme ruse. Është edhe një emblemë e UÇK-së që na bën të mendoj se dikush ka dashur që hetimin e ardhshëm të mundshëm ta drejtojë në pistë të gabuar. Sepse nuk ka shpjegim ndryshe”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se Kallasi sot i kishte ftuar më shumë për t’i dëgjuar liderët. Ai beson se vitin e ardhshëm do të intensifikohet procesi për paqe, siguri, integrim e zhvillim nën estonezen.
Kallasi gjithashtu takoi edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, të cilit i kërkoi ta zgjidhë çështjen e Banjskës.
Kallasi i kërkon Vuçiqit zgjidhjen e rastit “Banjska” dhe t’i vendosë sanksione Rusisë
Përfaqësuesja e re e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të zgjidhet rasti “Banjska” dhe po ashtu Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë për luftën në Ukrainë.
Kallas është duke i pritur në Bruksel liderët e Ballkanit Perëndimor.
Vuçiq në një postim në “Instagram” ka thënë se pati një bisedë të hapur dhe të vështirë me Kallasin.
“Biseduam për rrugën evropiane të Serbisë, ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit ‘Banjska’ dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, ka shkruar Vuçiq.
Në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të vitit të kaluar u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Serbia ende nuk i ka sjellë para drejtësisë fajtorët për sulmin. Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, kishte pranuar se qëndronte prapa grupit që kreu sulmin.
Ndërkohë sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, Serbia ka refuzuar të vendosë sanksione përkundër thirrjeve të vazhdueshme nga BE-ja.